Një përleshje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë, ku janë përdorur thikë dhe një mjet i fortë metalik, ndërsa rasti ka përfunduar me persona të lënduar dhe një të mitur në ndalim, mëson Sinjali. Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, në rast janë përfshirë O.Y., rreth 16-vjeçar, Fisnik Zogjani dhe Atdhe Tahiri, rreth 19-vjeçar.
Ngjarja është raportuar më 14 gusht, rreth orës . Bazuar në të dhënat fillestare dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes, dyshohet se O.Y ka sulmuar me thikë Fisnik Zogjanin, duke i shkaktuar plagë në pjesën e shpinës. Por përleshja nuk ka përfunduar me kaq.
Gjatë incidentit, Fisnik Zogjani dyshohet se ka përdorur një mjet të fortë metalik, me të cilin ka goditur Atdhe Tahirin, duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe në pjesën e veshit të majtë. Personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor. Tahiri është liruar pas marrjes së ndihmës mjekësore, ndërsa Zogjani ka mbetur në QKUK për trajtim të mëtejmë.
Motivi që çoi në përleshjen e rëndë ende nuk dihet. Në rast është përfshirë Njësia e Hetimeve Rajonale, ndërsa pas konsultimit me Prokurorin kujdestar janë iniciuar dy raste penale. Ndaj O.Y është iniciuar rasti për “Vrasje në tentativë”, ndërsa ndaj Fisnik Zogjanit për “Lëndim të rëndë trupor”. Me vendim të Prokurorit kujdestar, i mituri Omer Ymeri është dërguar në mbajtje për 24 orë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
