35 vatra zjarri në 24 orë, 8 ende aktive/ Vijojnë operacionet për

0%

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar 35 vatra zjarri, nga të cilat 8 vijojnë të jenë aktive. Në menaxhimin e situatës janë angazhuar 533 forca operacionale dhe 39 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre janë përfshirë 186 efektivë të Forcave të Armatosura, 4 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.

Aktualisht në terren vijojnë operacionet me 120 efektivë të FA-së, 2 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”. Në Dajt të Tiranës, vijon puna për shuarjen e zjarrit në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Operacioni mbështetet nga 50 efektivë të FA-së dhe dy helikopterë. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, zjarri në Priskë, Farkë dhe zonat përreth është vendosur nën kontroll. Në Krujë, forcat vijojnë ndërhyrjen në vatrat e Abazes dhe Zidollit. Në Zidoll po punohet për izolimin dhe shuarjen përfundimtare të zjarrit, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Një tjetër operacion vijon në Gurë-Lurë, Dibër, ku hapja e korridoreve ka ndihmuar në frenimin e përparimit të flakëve drejt zonave të banuara. Në terren janë angazhuar forca të Mbrojtjes Civile, të mbështetura nga 50 efektivë të FA-së, dy avionë “Air Tractor” dhe një autobot uji.

Në Qafë Helmes, në zonën Bulqizë-Selishtë, operacioni vijon me mbështetjen e 20 efektivëve të Forcave të Armatosura. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat. Ndërkohë, në Lezhë, Elbasan dhe Shkodër vijojnë ndërhyrjet për izolimin dhe shuarjen e vatrave të mbetura në Lufaj, Dardhë dhe pyjet e Tërbunit.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, zjarret në Përmet, Trojë, Qukës dhe Paulesh janë shuar plotësisht. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin dhe koordinimin e strukturave në terren, me fokus mbrojtjen e banesave dhe kontrollin e vatrave ende aktive.

Burimi: Bota Sot