Shpërndaje në: Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se Kosova ka nevojë për institucione funksionale, teksa i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që ta thërrasë seancën konstituive. “Lëvizja Vetëvendosje duhet ta thërrasë seancën! Konstituimi i Kuvendit duhet të ndodhë. Askush nuk guxon t’i mbajë peng institucionet e vendit dhe ta thellojë krizën politike.
Provokimi i situatës nuk është në interes të Kosovës. Pushtetet shkojnë e vijnë, por Kosova është mbi të gjitha. Mjaft me këto lojëra politike. Pushteti fitohet dhe mbahet në mënyrë demokratike, përmes rregullave, ligjeve dhe Kushtetutës. Askush nuk është mbi institucionet dhe askush nuk ka të drejtë ta mbajë peng shtetin”, ka shkruar ai në Facebook.
Të enjten, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi se partia e tij ka vendosur ta japë votën për kandidat konsensual për president duke hequr dorë nga përcaktimi paraprak se çdo marrëveshje me LVV-në duhet të nënkuptojë që ky post t’i takojë LDK-së. “Le t’i ketë të gjitha LVV-ja”, ka thënë Abdixhiku pas mbledhjes së deputetëve të LDK-së të enjten.
