Arrestohen gangsterët e bandës kosovare që ndihmoi trafikimin e

0%

Rrjeti i falsifikimit të dokumenteve në Kosovë ka dështuar pasi Mbretëria e Bashkuar i ndëshkoi anëtarët e tij me sanksione të ashpra financiare dhe të udhëtimit, shkruan gazeta britanike, “The Telegraph” .

Anëtarët e një bande kosovare të trafikimit të qenieve njerëzore janë arrestuar dhe operacioni i tyre ka dështuar pas sanksioneve financiare dhe të udhëtimit nga ana e Mbretërisë së Bashkuar.

Shtatë anëtarë të rrjetit Krasniqi, me bazë në Ballkan po përballen me drejtësinë për një operacion të madh falsifikimi me të cilin prodhuan dokumente identiteti, pasaporta dhe patenta shoferi për migrantët që mundoheshin të hynin ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe në vende të tjera.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Dokumentet e sofistikuara ua mundësuan migrantëve të paligjshëm të pretendonin shtetësinë nga më shumë se 50 shtete, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. Besohet se ata kanë ndihmuar mijëra migrantë të paligjshëm të udhëtojnë nëpër Europë. Të dyshuarit, ose u arrestuan, ose u dorëzuan vetë në polici pas vënies së sanksioneve.

Shkatërrimi i bandës u krye pasi Mbretëria e Bashkuar shënjestroi rrjetin nën regjimin e saj të sanksioneve për migracionin e parregullt – i pari i këtij soji në botë dhe që pasqyron qasjen e ndërmarrë kundër oligarkëve të korruptuar rusë.

Të shtatë personat e kapur përfshijnë Flamur Krasniqin, anëtar i grupit të cilit dyshohet se iu gjetën dokumenteve të falsifikuara; Valon Krasniqin, i cili dyshohet për përfshirje në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; Arif Krasniqin, për të cilin pretendohet të jetë ndërmjetës i grupit që siguronte klientë për shërbimet e tyre.

Në mesin e tyre është Nexhmije Selmanin, e akuzuar për sigurimin e lokaleve të përdorura nga grupi për falsifikim dokumentesh dhe për përfshirje në sigurimin e pajisjeve për falsifikim; Shkëmbim Emërllahun, të cilit dyshohet se i janë gjetur dokumenteve të falsifikuara; Sami Duriqin, të akuzuar për përfshirje në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; dhe Granit Avdylin, për të cilin thuhet se ishte përfshirë në prodhimin e dokumenteve dhe reklamimin e shërbimeve të grupit.

Vjet Yvette Cooper, atëherë sekretare e Jashtme, kishte njoftuar se Mbretëria e Bashkuar do të punonte me vendet në Ballkan për luftimin e kontrabandës së qenieve njerëzore në rajon.

Masat përfshinin mentorim për prokurorët, gjyqtarët e zyrtarët e policisë së Kosovës, dhe mbështetje për ekipet e përbashkëta të hetimit, të cilat bashkuan agjencitë e zbatimit të ligjit të Kosovës për hetimin e rasteve dhe për përmirësimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.

Sanksionet ia mundësojnë Qeverisë britanike t’ua ngrijë asetet trafikantëve të lartshënuar, si dhe çdo individi a biznesi që i furnizon me pajisje, ose i ndihmon financiarisht. Sikur se oligarkëve rusë, edhe atyre u ndalohet të udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas Ministrisë së Jashtme britanike, autoritetet kosovare vlerësuan se ishte “shumë e mundshme” që sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar të kenë pasur ndikim të rëndësishëm në vendimin e disa anëtarëve të bandës Krasniqi për t’u dorëzuar në Policinë e Kosovës.

Ndaj të gjithë të dyshuarve kishte urdhër-arrestesh kombëtare dhe ndërkombëtare, por disa nga anëtarët e bandës u dorëzuan vetëm pasi Mbretëria e Bashkuar i kishte kategorizuar si të tillë.

Lord Wood, ministri britanik për Europën, ka deklaruar: “Banda Krasniqi supozoi se mund të fshihej në hije dhe të përfitonte nga dëshpërimi i njerëzve të cenueshëm pa u ndëshkuar – tani ata do të përballen me drejtësinë për veprimet e tyre”. “Puna e Mbretërisë së Bashkuar me Kosovën për t’i rrëzuar ata është një shembull se si partneritetet tona jashtë vendit na bëjnë më të fortë në vend.

Krahas partnerëve tanë në rajon, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të ndërmarrë veprime vendimtare për të ekspozuar bandat kriminale dhe për të goditur migrimin e paligjshëm për të siguruar kufijtë tanë.” Më shumë se një e katërta e të gjitha kalimeve të paligjshme kufitare në BE në vitin 2023 erdhën përmes Ballkanit Perëndimor. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

Burimi: Kallxo