Sinjali ka mësuar identitetin e personit të arrestuar pas një bastisjeje të zhvilluar të enjten në fshatin Manastirc të Ferizajt, ku Policia gjeti dhe sekuestroi dy armë dhe një sasi të konsiderueshme municioni. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Flamur Haxhidema rreth 35 vjeç, i cili është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorisë.
Aksioni është zhvilluar më 13 gusht, pasi Njësiti i Hetimeve ka zbatuar një urdhëresë të Gjykatës Themelore në Ferizaj për kontrollin e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarit. Gjatë bastisjes, në garazhin e shtëpisë, përkatësisht në bagazhin e BMW-së së zezë në pronësi të Haxhidemës, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një AK-47, tre karikatorë dhe 139 fishekë.
Bastisje në Ferizaj: Policia gjen kallashnikov e pistoletë në bagazhin e BMW-së – sekuestrohen 181 fishekë Në të njëjtin kontroll është gjetur edhe një pistoletë “Zigana”, me dy karikatorë dhe 42 fishekë të kalibrit 9×19 mm. Në total janë sekuestruar dy armë, pesë karikatorë dhe 181 fishekë.
Për rastin është njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe, me autorizim të Prokurorit kujdestar, është iniciuar rasti për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Haxhidema është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës dhe më pas është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti do të procedohet në Prokurori me procedurë të shpejtë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
