Një vjedhje e rëndë ka ndodhur të enjten në Fshatin e Ri në Malishevë, ku cak i hajdutëve ishte një shtëpi, prej së cilës përveç stolive të arit është vjedhur edhe një veturë luksoze, mëson Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se shtëpia ku ka ndodhur vjedhja është në pronësi të A. Gegajt rreth 35-vjeçar.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, personi apo personat e dyshuar kanë hyrë në shtëpi dhe fillimisht kanë marrë stoli ari në vlerë rreth 2 mijë euro. Por hajnat nuk janë ndalur me kaq. Brenda shtëpisë kanë gjetur edhe çelësat e një BMW X7, të cilët i kanë marrë dhe më pas kanë dalë në oborr, ku ndodhej e parkuar vetura.
BMW-ja, e cila figuron me targa zvicerane, është vjedhur nga oborri dhe të dyshuarit janë larguar me të. Në vendin e ngjarjes kanë dalë Njësia e Hetimeve dhe Krim-teknika, të cilat kanë nisur ekzaminimin e vendit dhe mbledhjen e provave që mund të çojnë në identifikimin e të dyshuarve. Rasti po trajtohet si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
