Dy persona janë arrestuar në Lezhë dhe Kurbin, pasi dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj familjarëve të tyre, ndërsa gjatë kontrolleve në banesat e tyre policia ka gjetur armë zjarri, municion luftarak dhe lëndë plasëse.
Të arrestuarit janë Mark Përdoda dhe Gentjan Koprelli, ndërsa i janë sekuestruar pesë kallëpë tritoli, dy armë zjarri, njëra prej tyre me fishek në fole, si dhe municion luftarak. Në Lezhë u arrestua Mark Përdoda, 33 vjeç pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së vëllait.
Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën pesë kallëpë tritoli, një pushkë dhe municion luftarak. Ndërkohë, në Kurbin u arrestua Gentjan Koprelli, 48 vjeç, banues në Mamurras. Sipas policisë, ai dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj babait të tij. Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën të fshehura 1 armë zjarri (automatik), me fishek në fole, dhe municion luftarak.
Njoftimi: Ushtruan dhunë ndaj familjarëve të tyre në Lezhë dhe Kurbin, si dhe posedonin armë zjarri, municion luftarak dhe lëndë plasëse, kapen dhe vihen në pranga dy shtetas. Sekuestrohen 5 kallëpë tritoli, 2 armë zjarri (njëra me fishek në fole) dhe municion luftarak. Vihen në pranga 2 shtetasit që mbanin në banesa sendet e kundërligjshme.
I arrestuari në Lezhë dhunoi bashkëshorten e vëllait, ndërsa i arrestuari në Kurbin dhunoi babanë. Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale të kryera nga Policia e Lezhës dhe e Kurbinit, pas telefonatave për dhunë në familje, janë vënë në pranga shtetasit: -Në Lezhë u arrestua në flagrancë shtetasi M.
P., 33 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se ka dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht bashkëshorten e vëllait. Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën 5 kallëpë tritoli, 1 armë zjarri (pushkë) dhe municion luftarak. -Në Kurbin u arrestua në flagrancë shtetasi G. K., 48 vjeç, banues në Mamurras, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj babait.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën të fshehura 1 armë zjarri (automatik), me fishek në fole, dhe municion luftarak. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
