Bytyqi: Unë e di që Serbia nuk e njeh Kushtetutën tonë, por që edhe

0%

Deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që ta konstituojë Kuvendin dhe të vazhdojë me procedurat e tjera, duke e akuzuar partinë në pushtet se po e vonon procesin dhe po e “saboton” shtetin e Kosovës.

Bytyqi tha se partitë opozitare do të vazhdojnë të ushtrojnë presion ndaj Vetëvendosjes, nëse, siç u shpreh ajo, kjo parti vazhdon ta vonojë konstituimin e Kuvendit. “Ne si parti opozitare do të vazhdojmë të bëjmë edhe më shumë presion nëse Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë të sabotojë shtetin e Kosovës.

Unë e di që Serbia nuk e njeh Kushtetutën tonë, por që edhe pushteti, nuk e kemi ditë.”- tha deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi pas aktivitetit që patën në sallë plenare bashkë me deputetët e PDK-së. Ajo iu referua edhe qëndrimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila një natë më parë ka deklaruar se nuk ka arsye për vazhdimin e vonesave në konstituimin e Kuvendit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Mbrëmë e kemi pa që LDK-ja ka dalë me një konferencë dhe ka thënë që nuk ka asnjë arsye për më me vonu konstituimin e Kuvendit. Andaj sot i bëjmë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që ta bëjë konstituimin e Kuvendit dhe të vazhdojnë procedurat e tjera”- tha Bytyqi. Sipas saj, Kuvendi duhet të nisë punën për shkak të çështjeve të shumta që presin të trajtohen.

“Vendi jonë ka shumë punë për të bërë, ka shumë tema për të diskutuar, të cilat janë shumë të rëndësishme për vendin tonë, andaj sot i bëjmë edhe një herë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje mos të shkojë nëpër zyra ilegale të rrijë aty, por të vijë në Kuvend, ta bëjë konstituimin dhe të vazhdojë punën tutje” – tha ajo.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se pas qëndrimit të fundit të LDK-së Lëvizja Vetëvendosje i ka votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve. Ai tha se PDK-ja nuk e ka kontestuar rezultatin e zgjedhjeve dhe se kjo parti nuk paraqet pengesë për formimin e institucioneve.

“Ne si parti opozitare nuk e kemi kontestuar rezultatin zgjedhor. E kemi pranuar rezultatin. Nuk ka pengesë prej nesh. Përkundrazi, ne po themi: ejani, të përfundojmë me rezultatin zgjedhor, krijoni institucionet, mbani premtimet në Kuvend e në Qeveri dhe zgjidhni presidentin” – tha Hamza në konferencë për media më , pasiqë bashkë me deputetë të partisë dhe të Aleancës kërkuan nga foltorja e Kuvendit që të konstituohet legjislatura e re.

Sipas tij, tashmë pas qëndrimit të fundit të LDK-së, Vetëvendosje i ka numrat dhe votat e nevojshme. “Numrat janë të qartë, i kanë numrat, i kanë votat”- tha ai. I pyetur se pse LDK-ja nuk mori pjesë në aktivitetin që organizuan ata se Aleanca në sallën plenare ku u kërkua të vazhdohet seanc konstituive, ai tha se LDK-ja është parti në vete dhe se ata duhet të përgjigjen për këtë çështje.

Në aktgjykimin e 26 qershorit 2025, Gjykata kishte përcaktuar se procedura e konstituimit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore dhe se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e organeve të tij drejtuese. Ndërkohë, është tejkaluar edhe afati 48-orësh i përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit si maksimumi i lejuar i ndërprerjes së seancës.

Pavarësisht kësaj, seanca konstituive ende nuk ka përfunduar dhe përplasjet politike vazhdojnë të pengojnë formimin e institucioneve të reja.

Burimi: Kallxo