Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka ngritur sërish pretendimet për parregullsi në procesin e legalizimeve në kryeqytet, duke kërkuar nga Prokuroria që të hetojë rastet e përmendura në komunikimet e publikuara të shefit të kabinetit të kryetarit të Prishtinës, Florent Maliqi.
Në një konferencë për media, shefi i grupit të asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, bëri të ditur se asamblistët që kanë dorëzuar kallëzimin penal lidhur me këto pretendime tashmë janë ftuar nga Prokuroria për intervistim. Sipas tij, asamblisti Çlirim Gërbeshi është intervistuar dje () ndërsa asamblistja Berita Abazi po intervistohet sot ().
Sveçla tha se LVV-ja i është drejtuar Komunës së Prishtinës me kërkesë për qasje në katër dosje të plota të legalizimit, për katër rastet konkrete të përmendura në mesazhet e publikuara. Megjithatë, sipas tij, Komuna nuk ua ka dorëzuar dosjet e kërkuara, por vetëm katër certifikata të legalizimit. “Ne i kërkuam dosjet, ata na dhanë certifikatat.
Pa dokumentacionin përcjellës dhe pa materialet bazë mbi të cilat janë marrë ato vendime”- tha Sveçla. Ai e konsideroi këtë si mungesë transparence nga ana e Komunës së Prishtinës, duke thënë se arsyetimi për mbrojtjen e privatësisë nuk qëndron, pasi çështja, sipas tij, ka implikime për zyrtarë të kryeqytetit dhe është me interes publik.
LVV-ja ka bërë të ditur se për refuzimin e qasjes në dokumentet e kërkuara është ankuar në Agjencinë për Informim dhe Privatësi. Sipas tij, verifikimet e bëra në Gjeoportal dhe në certifikatat e pranuara nga Komuna tregojnë se katër objektet e përmendura në mesazhet e publikuara rezultojnë të jenë të legalizuara.
“Ne i kemi kontrolluar këto raste në Gjeoportaldhe në certifikatat që vetë Komuna na i ka dorëzuar, dhe rezultati është i qartë: të katër objektet që përmenden në mesazhe janë të legalizuara. Katër objektet e përmendura, katër objektet e legalizuara”- tha ai.
Sveçla tha se ky fakt, sipas LVV-së, kërkon që komunikimet e publikuara të hetohen dhe të mos trajtohen vetëm si biseda private pa lidhje me vendimmarrjen institucionale. Ai iu referua edhe pjesës së komunikimeve ku Florent Maliqi, sipas tij, përmend dëshirën për t’u emëruar shef i kabinetit të Përparim Ramës, duke theksuar se më vonë Maliqi është emëruar në këtë pozitë.
Në fund, LVV-ja i bëri thirrje Prokurorisë që të zgjerojë hetimet lidhur me këto pretendime. “I bëjmë thirrje Prokurorisë t’i hetojë mesazhet, t’i hetojë legalizimet, t’i hetojë dosjet, mënyrën e ndarjes së këtyre lëndëve, zinxhirin e vendimmarrjes, pretendimet për përfitime financiare, ta hetojë sistemin”- deklaroi Sveçla, të premten, më .
Pretendimet për aferë korruptive Florent Maliqi, shefi i kabinetit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, po përballet me pretendime për përfshirje në një aferë të dyshuar korrupsioni që lidhet me procesin e legalizimit të disa objekteve në kryeqytet. Megjithatë, ai ka refuzuar të flasë para kamerës së KALLXO.com lidhur me këtë.
Këto pretendime janë bërë pjesë e kallëzimit penal të dorëzuar nga asamblistët e LVV-së, më , ndërsa Prokuroria ka komfirmuar për KALLXO.com se se është duke e trajtuar kallëzimin penal që është dorëzuar. Në këto komunikime pretendohet se Maliqi ka zhvilluar komunikime me disa persona për çështje të legalizimeve në Prishtinë, ku përmenden edhe shuma deri në 30 mijë euro.
Lidhur me rastin ka reaguar ditë më parë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Ai nuk iu përgjigj në mënyrë specifike pretendimeve të publikuara, por tha se Komuna e Prishtinës do të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë dhe se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj kujtdo që rezulton të ketë shkelur ligjin.
Ndërsa, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar për KALLXO.com se është duke e trajtuar kallëzimin penal. Në një përgjigje për KALLXO.com, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se kallëzimi është pranuar dhe se rasti po trajtohet sipas procedurave ligjore. “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju konfirmon se është pranuar kallëzimin penal për çështjen në fjalë.
Prokuroria është duke e trajtuar këtë kallëzim në përputhje me procedurat e parapara ligjore”– thuhet në përgjigjen e Prokurorisë. Ndërkaq, Prokuroria nuk ka dhënë informacione nëse e ka autorizuar tashmë Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore dhe mbledhjen e provave lidhur me këtë kallëzim penal.
Raportimi i plotë: Qasja në dokumentet publike Nga data , KALLXO.com i është drejtuar Komunës së Prishtinës me kërkesë për qasje në dokumentacionin që lidhet me katër raste të legalizimit të përmendura në komunikimet e publikuara që kanë ngritur pretendimet për parregullsi.
Në kërkesë janë kërkuar vendimet dhe dokumentet relevante përcjellëse, ose dosjet e plota të aplikuesve, për katër rastet konkrete. Komuna e Prishtinës ka kthyer përgjigje më , duke thënë se dokumentacioni përmban të dhëna personale dhe dokumente të palëve të treta, përfshirë dokumente identifikuese, adresa, nënshkrime, të dhëna pronësore dhe dokumentacion kadastral.
Komuna ka theksuar se këto të dhëna duhet të veçohen ose anonimizohen. Në përgjigjen e saj, Komuna ka përcjellë katër vendime për legalizim, pas anonimizimit të të dhënave të mbrojtura. Për pjesën tjetër të dokumentacionit, ka bërë të ditur se KALLXO.com mund ta shikojë dhe konsultojë atë në ambientet e Komunës, pas përfundimit të procesit të veçimit dhe anonimizimit.
Ndërsa, KALLXO.com, më , i është drejtuar sërish Komunës duke kërkuar qasje në dokumentacionin e plotë që ka shërbyer si bazë për nxjerrjen e vendimeve të legalizimit për katër rastet.
Në kërkesën e përsëritur, KALLXO.com ka sqaruar se nuk kërkon qasje në të dhëna personale si numrat personalë, dokumentet e identifikimit, adresat private apo nënshkrimet dhe se këto të dhëna mund të anonimizohen, pa kufizuar qasjen në pjesën tjetër të dokumenteve.
Dhe, deri në publikimin e këtij artikulli, Komuna i ka përcjellë KALLXO.com vetëm katër vendimet/certifikatat e legalizimit, ndërsa dokumentacioni tjetër i kërkuar nuk është dorëzuar në kopje, por Komuna ka ofruar mundësinë që ai të konsultohet vetëm në ambientet e institucionit.
