Rrëfimi i një fizikani amerikan për bombardimin atomik të Nagasakit

0%

Më , një bombë me plutonium u hodh mbi qytetin japonez të Nagasakit, duke i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore. Në një intervistë me BBC-në, 30 vjet më vonë, fizikani amerikan që ndihmoi në montimin e bombës tregoi pse shpërthimi nuk mund të ndalej – dhe për planet për më shumë …

Nga: Fiona Macdonald / BBC (titulli: ‘I didn’t think of stopping at any time’: A US physicist’s inside account of Nagasaki’s atomic bombing in WW2 ) Përkthimi: Telegrafi.com “Nuk ishte për shkak të mungesës së shqetësimit për njerëzimin – ishte për shkak të shqetësimit për njerëzimin.

Ndoshta ky ishte mëkati.” Tridhjetë vjet pasi mori pjesë në bombardimin atomik të Nagasakit më , fizikani amerikan Philip Morrison foli haptazi me BBC-në për vendimet që u morën në ditët dhe javët përpara shpërthimit të paprecedentë bërthamor.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Morrisoni luajti një rol kyç në Projektin Menheten [Project Manhattan], programin tepër sekret të Aleatëve për zhvillimin e armëve të para bërthamore, duke punuar në laboratorin e Los Alamosit. Laboratori drejtohej nga ish-profesori i tij, J. Robert Oppenheimer.

I pranishëm në provën Triniti të bombës së parë atomike – më – Morrisoni e mbajti bërthamën e saj prej plutoniumi në prehër gjatë udhëtimit me makinë për në Nju-Meksiko.

Më pas ai udhëtoi drejt ishullit të vogël Tinian, pak në jug të Saipanit, për të ndihmuar në montimin e bombës “Fat Man” me plutonium – të përdorur në Nagasaki – duke mbikëqyrur ngarkimin e saj në një aeroplan B-29 më 9 gusht, vetëm tri ditë pas bombardimit të Hiroshimës.

Pikërisht në Tinian forcat amerikane ndërtuan atë që Morrisoni e përshkroi si “aeroportin më të madh në botë.” “Një kreshtë e madhe koralore u rrafshua përgjysmë për të mbushur një rrafshinë të thyer dhe për të ndërtuar gjashtë pista … secila pothuajse dy milje e gjatë [3.9 kilometra],” tha ai në dëshminë e tij para një komisioni të Senatit në dhjetor të vitit 1945.

Lexo po ashtu: – Pse nazistët nuk e bënë bombën e parë atomike? – Letra që ndryshoi rrjedhën e historisë – Dr. Strejnxhlovi, 60 vjet pas: Misteri i kryeveprës së Kubrickut për Luftën e Ftohtë – “Oppenheimer” është film i mirë për njeriun e gabuar – Ti dhe bomba atomike Shkalla e shkatërrimit Në dëshminë e tij, Morrisoni zbuloi gjithashtu nivelin e përgatitjeve për bombardimet me bomba zjarrvënëse nëpër qytetet japoneze.

“Në port, çdo ditë qëndronin cisternat e ngarkuara me mijëra tonelata benzinë aviacioni … Përgjatë pistave të mëdha lëviznin aeroplanët gjigantë … Një herë në çdo 15 sekonda, një tjetër B-29 ngrihej në ajër. Për një orë e gjysmë kjo vazhdonte …

Një mijë aeroplanë B-29, herë pas here digjnin shumë milje katrore të një qyteti – në një sulm të vetëm.” Në anën tjetër, ai tha: “Bomba atomike ishte diçka tjetër.” “Nuk kishte ngarkesa të tëra anijesh me mjete zjarrvënëse.

Në vend të gjithë specialistëve të armatimit dhe depove të tyre të bombave, ishin rreth 25 njerëz nga Los Alamosi, disa baraka Kuonseti [struktura të parafabrikuara prej çeliku të valëzuar] të kthyera në laboratorë testimi dhe një ndërtesë të barrikaduar. Sulmi nisi pas mesnate. Fusha ishte e shkretë …

Dhe, një aeroplan gjëmoi përgjatë pistës, u ngrit në ajër dhe mori drejtimin drejt qyteteve të armikut,” tha ai. Ndonëse vlerësimet ndryshojnë, mendohet se 40 mijë njerëz u vranë nga shpërthimi fillestar në Nagasaki, ndërsa më shumë se 100 mijë vdekje – gjatë pesë viteve në vazhdim – i atribuohen drejtpërdrejt bombardimit.

Në Hiroshimë, të paktën 80 mijë njerëz vdiqën menjëherë, ndërsa numri i përgjithshëm i të vdekurve u rrit në rreth 140 mijë për shkak të djegieve të rënda, plagëve dhe sëmundjes akute nga rrezatimi. Morrisoni më vonë inspektoi shkatërrimin katastrofik në dy qytetet japoneze – si pjesë e ekipit zyrtar shkencor për vlerësimin e dëmeve – dhe kujtonte në veçanti një moment në Hiroshimë.

“Një zyrtar japonez qëndroi mes rrënojave dhe na tha: ‘E gjithë kjo nga një bombë; është e padurueshme’,” tha ai. “Një aeroplan, me një bombë, kishte shkatërruar shumë milje katrore të një qyteti, madje i kishte shkatërruar edhe më shumë dhe me edhe më pak mundësi për rezistencë ose shpëtim sesa sulmi me një mijë aeroplanë.” Megjithatë, ai kishte shpresuar se bomba atomike nuk do të duhej të përdorej në luftime dhe kishte marrë drejtimin e një grupi fizikanësh të rinj të Los Alamosit, të cilët mbështesnin një demonstrim publik të bombës përpara çfarëdo përdorimi të saj në Japoni.

Morrisoni – i cili ishte 30 vjeç kur mbikëqyri montimin e “Fat Man”-it në Tinian – donte të “ftonte një delegacion ndërkombëtar në shkretëtirë,” i tha ai Melvyn Braggut të BBC-së në vitin 1975.

“Por, në rrethanat e luftës, kjo ishte një dëshirë e parealizueshme.” “Vrull i pandalshëm” Fizikani përshkroi ndjesinë e një vrulli të pandalshëm, edhe kur u bë e qartë se nazistët do të mposhteshin. Megjithatë, ai shpjegoi: “Lufta ende vazhdonte.

Po shkonim drejt një beteje të jashtëzakonshme në Paqësor … kështu që do të kishte qenë e pamundur të ndalej.” I vetmi faktor që mund ta kishte ndryshuar këtë, besonte Morrisoni, ishte presidenti amerikan Franklin D. Roosevelt, i cili vdiq në prill të vitit 1945.

“E vetmja mundësi për ta ndryshuar ndjeshëm qëndrimin amerikan, do të thosha, do të kishte qenë mbijetesa e Rooseveltit … [ai] vdiq në mes të procesit të zhvillimit, përpara se ta dinim se bomba do të funksiononte, përpara se të ishte përcaktuar se si do të përdoreshin bombat,” tha Morrisoni.

“Ai ishte i vetmi person, mendoj, që kishte edhe prestigj të mjaftueshëm, edhe fuqi të mjaftueshme brenda qeverisë për ta kthyer mbrapsht këtë vrull të tmerrshëm,” tha ai. Kur Harry S. Truman u bë president, ai as që ishte në dijeni të projektit dhe mësoi për të vetëm në orët pasi dha betimin. Pak më shumë se tre muaj më vonë, ai do të urdhëronte bombardimet.

“Është e vërtetë se ai e mori vendimin, por mendoj se është e drejtë të thuhet se vendimi e mori atë,” pohoi Morrisoni. “Do të kishte qenë vërtet hap shumë i guximshëm nga ana e tij që, pas gjithë atyre viteve, ta ndryshonte atë që po bëhej dhe ta ndalte … ajo mundësi në thelb u zhduk me vdekjen e Rooseveltit.” Sipas Morrisonit, e njëjta forcë e pandalshme veproi edhe në vendimin për t’i hedhur dy bomba – njërën pas tjetrës.

“Ato nuk konsideroheshin si bomba e parë dhe bomba e dytë. Urdhrat e lëshuar për komandantët ishin: ‘Hidheni bombën e parë dhe pastaj hidheni bombën e dytë sa më shpejt që të mundeni.’ Do të duhej një njeri i fortë në Uashington që të shihte efektet e mëdha të bombës së parë … dhe të thoshte: ‘Mirë, le të presim pak me bombën e dytë.’ Do të kërkonte shqyrtim në nivelet e larta, aftësi për të ndërhyrë në hallkat e ndërlikuara të zinxhirit dhe për t’ua përcjellë urdhrat e duhur gjeneralëve të duhur,” tha ai.

Kështu, të dy bombardimet u kryen – dhe ishin planifikuar të tjerat, zbuloi Morrisoni. “Vendimi fillestar ishte që ne do të vazhdonim për një vit duke i hedhur këto bomba, nëse ishte nevoja … Më thanë të hartoja një plan për këtë,” i tha ai Braggut.

“Kisha një plan, një skemë dhe një orar, një njeri që do të më zëvendësonte dhe masat e nevojshme për të shkuar e për t’u kthyer.” Nuk është e sigurt nëse do të kishte mundur të vazhdonte ta bënte këtë, pasi ai dhe shkencëtarët e tjerë të Los Alamosit kishin parë pasojat.

“Nga ana intelektuale, i njihnim shumë mirë si efektet afatshkurtra, ashtu edhe … efektet afatgjata që druheshim se mund të kishte. Por, këtë e dinim vetëm nga leximi i një libri dhe nga shikimi i shifrave,” i tha ai Braggut. “Dhe, ndryshimi midis shifrave … dhe pamjes së realitetit të gjallë, realitetit të vdekjes, është një ndryshim shumë i madh për këdo, për të gjithë botën.

Pra, mendoj se e dinim, por nuk e ndienim.” Ai e kujtoi reagimin në bazën e ishullit të Paqësorit natën e bombardimit të Hiroshimës. “Atë natë pati një festë të madhe, por shumica e shkencëtarëve nuk shkuan. Pinin njerëzit e Forcave Ajrore, ushtarët. Ata e dinin se luftës po i vinte fundi.

Dukej, ndihej, si fitore e madhe.” Megjithatë, kujtonte Morrisoni, shkencëtarët “qëndronin ulur së bashku, të zymtë, dhe mendonin … për fundin e botës.” Por, në periudhën para bombardimeve, Morrisoni nuk ndjeu se duhej të tërhiqej nga Projekti Menheten. “Pavarësisht kundërshtimit të vendosur dhe këmbëngulës ndaj kësaj, nuk shoh se si mund të kisha vepruar ndryshe.

Në asnjë moment nuk mendova të ndalesha.” Kur u pyet nëse Aleatët do të kishin hedhur bombën atomike mbi Berlin, po të kishte qenë gati përpara se nazistët të mposhteshin, ai tha: “Oh, patjetër, menjëherë … Ne kishim frikë para së gjithash nga gjermanët dhe ata ishin armiku ynë,” tha Morrisoni.

Pas luftës, Morrisoni u bë profesor në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit [MIT], duke bërë fushatë kundër përhapjes së armëve bërthamore, në pararojë të lëvizjes “jo bombë të tretë.” “Vetëkuptohet se, ashtu si shumica e shkencëtarëve të projektit, jam plotësisht i bindur se nuk mund të lejohet një luftë tjetër,” tha ai në dëshminë e tij para Senatit në vitin 1945.

Dhe, ai besonte se Aleatët duhej të kishin bërë një gjë në veçanti. “Besoj fuqimisht se duhej të ishte dhënë një paralajmërim i duhur,” tha ai. “Duke u kthyer prapa në kujtesë, nuk ka asnjë justifikim për faktin që nuk u dha një paralajmërim i duhur dhe i përshtatshëm.”

Burimi: Telegrafi