Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se Ukraina disponon vetëm një pjesë të vogël të raketave interceptuese që i nevojiten për të mbrojtur qytetet nga sulmet balistike ruse, duke i bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të rrisin ndihmën ushtarake.
Në një intervistë për CNN, Zelensky tha se Ukraina ka aktualisht rreth një të dhjetën e sasisë së interceptorëve që do t’i nevojiteshin për të ndaluar plotësisht sulmet me raketa balistike të Rusisë. Sipas tij, edhe 5% e rezervave amerikane do të mjaftonin që Ukraina të përballonte dimrin dhe të shpëtonte jetë njerëzish.
“Këtë vit kemi dy herë e gjysmë më pak raketa interceptuese sesa kishim në vitin 2025 ”, tha Zelensky, duke shtuar se Rusia po lëshon dy herë më shumë raketa balistike në muaj. Presidenti ukrainas e përshkroi situatën si kritike, veçanërisht për Kievin, ndërsa sulmet ruse janë intensifikuar ndjeshëm gjatë javëve të fundit.
Sipas Kombeve të Bashkuara, korriku ishte muaji më vdekjeprurës për civilët ukrainas që nga prilli i vitit 2022. “Çdo natë keni sulme dhe katër ose pesë herë në muaj kemi sulme masive. Janë netë të tmerrshme. Njerëzit janë shumë heroikë, shumë rezistentë, por janë të lodhur”, u shpreh Zelensky.
Ai tha se po zhvillon kontakte të vazhdueshme me aleatët për të siguruar më shumë sisteme mbrojtjeje ajrore, duke përfshirë telefonata, mesazhe dhe negociata që nuk mund t’i bëjë publike. “Kjo është ajo që jetoj çdo ditë: nga 1% në 5%. Kam disa muaj dhe miliona telefonata. Mundohem të shkëmbej diçka me raketa. Bëj disa gjëra që as nuk mund t’i ndaj” , deklaroi ai.
Zelensky shprehu gjithashtu pasiguri për planin e diskutuar nga presidenti amerikan Donald Trump për t’i dhënë Ukrainës licencë për të prodhuar vetë interceptorë për sistemet Patriot. Prodhuesit e këtyre sistemeve kanë dërguar zyrtarë në Kiev për të diskutuar mundësinë, por ende nuk ka një rezultat konkret. “Shpresoj se do ta arrij. Nuk kam tani 5% dhe nuk kam një pranim të tillë.
Dhe kjo është për mua një sfidë e madhe, një nga më të mëdhatë që kam pasur që nga fillimi i kësaj lufte”, tha presidenti ukrainas. Ai konfirmoi gjithashtu se së fundmi ka zhvilluar një telefonatë me nënpresidentin amerikan JD Vance, por nuk pranoi të komentojë mbi përmbajtjen e bisedës.
Në të njëjtën kohë, Kievi ka paraqitur propozime të reja për procesin e paqes të mbështetur nga administrata Trump. Zelensky tha se Ukraina kërkon përfshirje më të madhe të Shteteve të Bashkuara, ndërsa akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se nuk ka interes të ndalojë luftën. “Putini nuk dëshiron ta ndalojë këtë luftë tani dhe nuk ka presion të mjaftueshëm mbi të tani”, tha ai.
Zelensky hodhi poshtë gjithashtu mundësinë që Ukraina të dorëzojë territorin e mbetur në Donbas, të kërkuar nga Moska, duke theksuar se çdo marrëveshje duhet të shoqërohet me garanci të forta sigurie. Presidenti ukrainas paralajmëroi ndërkohë se Putin mund të synojë përshkallëzimin e konfliktit përtej Ukrainës, përfshirë një sulm ndaj vendeve më të vogla baltike, anëtare të NATO-s.
“Ai nuk di si ta përfundojë këtë luftë pa pushtim të madh ose fitore të madhe për shoqërinë e tij”, tha Zelensky, duke shtuar se, sipas tij, për Moskën nuk do të ishte vendimtare nëse një vend i ardhshëm i sulmuar do të ishte apo jo pjesë e NATO-s.
