Manchester City ka bërë një lëvizje të fortë për transferimin e mesfushorit argjentinas Enzo Fernandez, kapitenit të Chelseat, duke paraqitur një ofertë zyrtare prej 120 milionë eurosh, në përpjekje për ta finalizuar marrëveshjen gjatë këtij afati kalimtar.
Drejtuesit e Manchester Cityt kanë vepruar për të përmbushur kërkesën e trajnerit Enzo Maresca, i cili e ka bërë të qartë se dëshiron transferimin e mesfushorit argjentinas dhe i ka kërkuar klubit të bëjë gjithçka për ta kompletuar marrëveshjen.
Megjithatë, Chelsea ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për ofertën e dorëzuar, pasi klubi londinez kërkon një shumë më të lartë për kapitenin e tij. “Blutë” e vlerësojnë Enzo Fernandezin rreth 120 milionë funte, që janë afërsisht 139 milionë euro.
Raportimet bëjnë të ditur se Chelsea i ka vendosur Manchester Cityt afat deri të premten për të paraqitur një ofertë që përputhet me kërkesat e tyre financiare, duke e futur kështu marrëveshjen në një fazë vendimtare. Enzo Fernandez është 25-vjeçar dhe ka kontratë me Chelsean deri në qershor të vitit 2032, çka i jep klubit londinez një pozicion të fortë në negociatat për të ardhmen e tij.
Tashmë vëmendja është te përgjigjja e Chelseat ndaj ofertës së Manchester Cityt dhe nëse kampionët anglezë do të vendosin ta rrisin paketën financiare për të siguruar transferimin e kapitenit të klubit londinez.
