Tre familje palestineze janë rrethuar brenda shtëpive të tyre në fshatin Qusra, në jug të Nablusit, në Bregun Perëndimor të pushtuar, nga kolonë izraelitë, të cilët dyshohet se u kanë ndërprerë furnizimin me ujë dhe energji elektrike. Pamjet e kamerave të sigurisë, të publikuara të mërkurën, tregojnë kolonët duke rrethuar një prej banesave, ndërsa familjet kanë mbetur të bllokuara brenda.
Sipas banorëve, forcat izraelite ndërhynë gjatë ditës dhe çmontuan një tendë të ngritur nga kolonët, ndërsa u përleshën me rreth 50–60 persona. Megjithatë, ushtarët nuk arritën t’i largonin kolonët nga zona. Banorët e kanë përshkruar situatën si pjesë të një fushate për t’i detyruar palestinezët të largohen dhe për t’u marrë tokat.
Ushtria izraelite njoftoi se do të dislokojë një batalion shtesë këmbësorie në zonë, me qëllim forcimin e rendit dhe kontrollit operacional dhe parandalimin e incidenteve të tjera. Një ditë më herët, ushtria izraelite kishte deklaruar se kishte marrë raportime për kolonë që kishin hyrë në zonë dhe kishin sekuestruar shtëpi dhe toka palestineze.
Aktiviteti u cilësua nga ushtria si “i paligjshëm, i dënueshëm dhe i papranueshëm”. Ushtria tha gjithashtu se do të ndërmerrte masa disiplinore ndaj personelit të sigurisë të filmuar në zonë gjatë ditëve të mëparshme.
