Egnatia shkroi historinë mbrëmjen e sotme, duke u kualifikuar për herë të parë në play-off-in e UEFA Europa League dhe duke siguruar njëkohësisht një vend në fazën e ligës së UEFA Conference League. Rrogozhinasit dhuruan një mbrëmje spektakolare në “Arena Egnatia”, ku triumfuan me rezultatin e thellë 5-1 ndaj Shamrock Rovers, duke përmbysur humbjen 3-1 të ndeshjes së parë në Irlandë.
Skuadra e drejtuar nga Nevil Dede zhvilloi një pjesë të parë thuajse perfekte, duke shënuar katër gola. Adjessa zhbllokoi sfidën që në minutën e 4-t, ndërsa Albanese dyfishoi avantazhin në minutën e 11-të. Gruda shënoi golin e tretë në minutën e 21-të, ndërsa Adjessa realizoi sërish në minutën e 38-të, duke çuar Egnatian në pushim me avantazhin 4-0.
Rrogozhinasit e mbyllën pjesën e parë me 10 lojtarë, pas kartonit të dytë të verdhë të Ndrecës në minutat shtesë. Egnatia nuk u tërhoq nga golat as në pjesën e dytë dhe vazhdoi të kërkonte golin e radhës. Albanese realizoi golin e pestë në minutën e 58-të, duke i dhënë skuadrës shqiptare një avantazh të jashtëzakonshëm.
Shamrock Rovers arriti të shënonte golin e vetëm në minutën e 74-t, por pa mundur të ndryshonte fatin e përballjes. Pas humbjes 3-1 në ndeshjen e parë, Egnatia përmbysi gjithçka në Rrogozhinë me një fitore spektakolare 5-1, duke siguruar për herë të parë në historinë e klubit kualifikimin në play-off-in e Europa League dhe, mbi të gjitha, një vend të garantuar në fazën e ligës së Conference League.
Në play-off-in e Europa League, Egnatia do të përballet me norvegjezët e Lillestrøm, në përpjekje për të shkruar një tjetër kapitull historik në rrugëtimin europian.
