Vllaznia dhe Vora do të sfidojnë njëra-tjetrën në një ndeshje miqësore, e përcaktuar për t’u zhvilluar të shtunën prej orës në stadiumin “Loro Boriçi”. Të dyja këto skuadra po i drejtohen sezonit të ri në Superiore me ide të qarta, ndaj dhe ky “test” do t’u shërbejë që të “ndezin motorët” për të qenë të gatshëm për edicionin në kampionat që starton më 22 gusht.
Në radhët e shkodranëve, fryma është optimiste, pas rezultateve të fundit në miqësoret e zhvilluara. Edhe pse duhet thënë se merkatoja nuk i ka dhënë aq sa duhet pritshmëritë, nën drejtimin e trajnerit Edi Martini ekziston besimi se skuadra po futet “në shina”.
Sa i takon “surprizës” së sezonit të kaluar, Vorës, ekipi i udhëhequr nga trajneri Arjan Bellai i ka dhënë provat në miqësoret në Turqi, ndërsa në merkato ndoqën një stil krejt të veçantë, duke afruar lojtarë kryesisht të rinj në moshë dhe me potencialin për të “shpërthyer”.
