Kuvendi i Kosovës ka pritur rreth 1 mijë bashkatdhetarë gjatë vizitave tre ditore të diasporës, në kuadër të aktivitetit të përvitshëm “Bashkatdhetarët në Kuvend”. “Edhe sot, bashkatdhetarët u pritën nga Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, U.D. Presidente, Albulena Haxhiu, në ambientet e punës së Kuvendit.
Gjatë qëndrimit, ata u pritën gjithashtu nga deputetë dhe zyrtarë të administratës së Kuvendit, të cilët i shoqëruan përgjatë vizitës dhe i informuan më nga afër për punën, funksionimin, përgjegjësitë dhe rolin e Kuvendit si institucioni më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës i Republikës së Kosovës” , njofton institucioni.
Sipas njoftimit, bashkatdhetarët patën mundësi të njihen me hapësirat e Kuvendit, përfshirë sallën plenare, si dhe me historikun, veprimtarinë dhe rëndësinë e këtij institucioni në jetën demokratike të vendit. “Këto tri ditë me bashkatdhetarë në Kuvend krijuan hapësirë për bashkëbisedim të drejtpërdrejtë dhe shkëmbim mendimesh me përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve”, vazhdon njoftimi.
