Gjatë ditës së djeshme, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i është drejtuar me kërkesë zyrtare Avni Deharit, në cilësinë e kryesuesit të seancës konstituive sipas moshës, që ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Sipas letrës së dërguar nga PDK-ja, ndonëse moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar një situatë të rëndë kushtetuese, tejkalimi i këtij afati nuk e shuan detyrimin për përfundimin e procesit të konstituimit. “Obligimi për përfundimin e procesit konstituiv mbetet dhe duhet të përmbushet pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
PDK-ja ka kërkuar që seanca të thirret pa vonesa, në mënyrë që deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit të tyre. Partia ka bërë të ditur se, pavarësisht nëse Dehari e përmbush apo jo këtë obligim, deputetët e saj do të jenë të mërkurën, më 12 gusht, në orën , të pranishëm në sallën e Kuvendit.
Sipas PDK-së, në këtë kohë “përfundon edhe 48-orëshi i dytë për vazhdimin e seancës, siç përcaktohet me Rregulloren e Kuvendit”.
Po ashtu, PDK-ja u ka bërë thirrje të gjitha grupeve të tjera parlamentare dhe deputetëve të zgjedhur që të jenë nesër në sallën e Kuvendit, me qëllim që, siç thuhet, të dëshmojnë gatishmërinë politike dhe vullnetin për ta përmbushur besimin e marrë nga qytetarët. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
