​PDK-ja e Aleanca mblidhen në Kuvend, mungon LDK-ja

0%

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës po qëndrojnë në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e saj. Ndërkaq nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka deputetë të pranishëm.

PDK-ja, përmes një letre drejtuar Deharit, ka kërkuar që seanca të thirret pa vonesa dhe deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit. Sipas PDK-së, moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar një situatë të rëndë kushtetuese, por tejkalimi i këtij afati, sipas saj, nuk e shuan detyrimin për përfundimin e procesit të konstituimit.

“Obligimi për përfundimin e procesit konstituiv mbetet dhe duhet të përmbushet pa vonesa të mëtejshm e”, thuhet në njoftimin e PDK-së. Edhe Aleanca ka njoftuar se do t’u bashkohet deputetëve të PDK-së në sallën plenare.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se partia e tij do të marrë pjesë në qëndrimin e paralajmëruar nga PDK-ja, ndërsa ka përsëritur thirrjen drejtuar Deharit për vazhdimin e seancës. “ Siç e dini PDK-ja ka thirrur seancë në orën dhe Aleanca do të marrë pjesë. Tash është informata që mediat nuk po lejohen të marrin pjesë në seancë. Nuk e dimë se qysh e pse.

Mirëpo mungesa e transparencës dhe qasja që e kemi nga LVV-ja është duke e çuar shtetin e Kosovës në humnerë”, ka deklaruar Tahiri. Ndërkohë, deputetja dhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka mbajtur një fjalim brenda sallës së Kuvendit, ku ishin të pranishëm edhe disa pjesëtarë të diasporës.

Çitaku ka kërkuar që të thirret vazhdimi i seancës konstituive, duke thënë se deputetët e zgjedhur duhet të kenë mundësi ta ushtrojnë mandatin e tyre. “Ne këtu jemi deputetë të zgjedhur, por dyert për ne janë të mbyllura ”, ka thënë Çitaku. Ajo më pas ka theksuar rëndësinë e institucioneve të Kosovës, duke kujtuar edhe sakrificën për krijimin e tyre.

“Kuvendi nuk është thjesht objekt, nuk është ndërtesë me tulla, është institucion. Kam qenë në këtë ulëse e ulur ditën kur u shpall Pavarësia e Kosovës. Është derdh gjak, mund, djersë, sakrificë që Kosova me pas institucione. Nuk guxojmë me u sill sikur s’po ndodh asgjë”, është shprehur Çitaku. Në sallë ishte edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

Gjatë fjalimit të Çitakut pati edhe një shkëmbim të shkurtër mes tyre, pasi Çitaku tha se dyert e Kuvendit ishin të mbyllura për deputetët. Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pasi në dy tentimet e deritanishme nuk është arritur të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të përmbyllet procesi i konstituimit të Legjislaturës së 11-të.

Seanca konstituive vazhdon të jetë në qendër të përplasjeve mes partive parlamentare, ndërsa mosformimi i institucioneve të reja po e zgjat krizën politike në vend. Sot është dita e tretë që Kuvendi i Kosovës është i hapur për vizitorë nga diaspora. Në këtë kuadër, deputetët e PDK-së dhe Aleancës kanë hyrë në sallën plenare dhe kanë kërkuar që procesi i konstituimit të vazhdojë.

Burimi: Bota Sot