Në Kampionatin Evropian të atletikës, të martën, një ditë pas garës së meshkujve, ishte radha e femrave në garën e 5000 metrave. “Fitoren e mori bindshëm italiania Nadia Battocletti. Por ajo që nuk u pa në transmetimin televiziv ishte se Gresa Bakraçi u detyrua ta ndërpresë garën pas 3400 metrash.
E shtrirë në barin pranë pistës, ajo bëri me dorë për të kërkuar ndihmë”, ka shrkuar media gjermane “Bild”. Çfarë kishte ndodhur? “Bakraçi ishte duke zhvilluar një garë të mirë dhe po qëndronte në grupin e vrapueseve kryesore. Por, kur ishte në lartësinë e vijës së finishit, ajo papritur u largua nga pista dhe u shtri në bar.
Meqë ndodhej pas ekranit të madh të stadiumit, në fillim dukej se askush nuk e kishte vënë re se ajo kishte probleme. Përfundimisht, Bakraçi vetë bëri me dorë për të thirrur një pjesëtar të stafit, i cili shkoi menjëherë për t’u kujdesur për të. Vetëm pas disa minutash ai arriti ta ndihmonte sportisten nga Kosova të ngrihej në këmbë. Në fund, Bakraçi arriti të largohej vetë nga stadiumi.
A ishte rritja e ritmit shumë e fortë? Është e mundur që një rritje e vogël e ritmit t’i ketë shkaktuar një rënie të menjëhershme të energjisë. Gara filloi fillimisht me një ritëm relativisht të ngadaltë. Pas tre kilometrash, megjithatë, në grupin e vrapueseve pati disa përplasje dhe shtyrje për pozicionet më të mira për dy kilometrat e fundit.
Për këtë arsye, ritmi u rrit papritur ndjeshëm, përpara se pak më vonë të ulej përsëri. Distanca prej 5000 metrash nuk është disiplina e saj kryesore. Në garën e 1500 metrave, Bakraçi madje mban rekordin kombëtar të Kosovës. Pas Battoclettit, Marta García nga Spanja fitoi medaljen e argjendtë, ndërsa Micol Majori nga Italia mori medaljen e bronztë.
E vetmja përfaqësuese gjermane, Vanessa Mikitenko, përfundoi në vendin e 14-të”, shkruan më tej.
