Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit ka vazhduar përplasjet verbale me zyrtarët turq, duke publikuar kësaj radhe edhe një hartë me pretendime për praninë ushtarake të Turqisë në vendet fqinje.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ministria izraelite pretendoi se Ankaraja kontrollon ose mban nën prani ushtarake territore në Siri, Irak dhe Qipro, duke e përdorur këtë si kundërpërgjigje ndaj kritikave të Turqisë ndaj Izraelit. Sipas palës izraelite, Turqia ka mijëra ushtarë, dhjetëra baza dhe pika ushtarake në këto vende.
Ministria e Jashtme e Izraelit pretendoi se Turqia kontrollon 36 për qind të Qipros, 5 për qind të territorit të Sirisë dhe rreth 2 mijë kilometra katrorë të Irakut. Në të njëjtin reagim, Izraeli deklaroi se kontrollon vetëm rreth 0.1 për qind të territorit të Sirisë, duke e cilësuar atë si zonë tampon të krijuar për arsye sigurie dhe për mbrojtjen e qytetarëve izraelitë.
Reagimi vjen në kuadër të tensioneve të vazhdueshme mes Izraelit dhe Turqisë, të cilat kanë shkëmbyer akuza të ashpra lidhur me zhvillimet rajonale. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
