Me moton “Zëri yt, e ardhmja jonë” është shënuar sot në Prishtinë Dita Ndërkombëtare e Rinisë. Ky aktivitet u organizua nga Ministria e Sportit dhe Rinisë, në bashkëpunim me Kartën Rinore Evropiane dhe kishte për qëllim që të krijojë një hapësirë ku të rinjtë mund të informohen, të bashkëveprojnë me organizata, institucione dhe biznese, të njihen me programet, shërbimet dhe mundësitë që ofrohen për ta, si dhe të krijohen bashkëpunime të reja.
Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe Blerim Gashani, ministër i Sportit dhe Rinisë. Kurti theksoi se kanë dëshmuar se i duan të rinjtë dhe të rejat në qendër. Ai tha se gjatë qeverisjes së tij kanë krijuar mundësi që t’ua lehtësojë të rinjve orientimin në karrierë dhe aftësimin për tregun e punës.
“Kjo duke krijuar mundësi më të mira që nga rinia e hershme në shkolla, nëpërmjet zhvillimit të sistemit dual të arsimit me orientim në karrierë, duke krijuar një lidhje midis aftësimit profesional dhe tregut të punës.
Për të vazhduar pastaj me arsimin e lartë falas, nga i cili kanë përfituar dhjetëra – mijëra studentë; shto këtu mbështetjen me më shumë se 18,000 bursa në vlerë nga 1,000 deri në 10,000 euro, nga viti 2021 deri në vitin 2026. Për të mos harruar edhe rritjen e vlerës së bursës nga 700 euro sa ka qenë, në 1,000 euro sa është tani.”– theksoi Kurti.
Ai tregoi se kanë ndarë rreth 7 mijë e 300 bursa për studentët në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës, rreth 9 mijë e 700 bursa elitare për studentët me notë mesatare më të lartë se nëntë, si dhe tha se kanë ndarë afër 250 bursa në vlerë prej 7,500 deri në 8,500 euro për studentët e doktoratës, në 500 universitete të botës.
Kurti poashtu tregoi edhe mbështetjet e tjera që ka ndarë gjatë mandatit të tij për studentët e nivelit baçelor dhe master që vijojnë studimet jashtë vendit. Ndërsa theksoi se mbështetje ka pasur edhe për studimet post-doktorale si dhe për studentët e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian. Kurti këtë mbështetje e vlerësoi si trefishim i mbështetjes në krahasim me qeverisjet e kaluara.
“Gjithashtu janë financuar afër 700 studentë tanë të nivelit bachelor dhe master që kanë studiuar apo po studiojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francë, Japoni, Hungari e në vende të tjera, sikurse janë dhënë afër 170 bursa për studime jashtë vendit me vlerë maksimale të mbështetjes deri në 7,000 euro.
Ndërkaq, në vitin akademik 2025-2026 kemi nisur edhe mbështetjen për studime post-doktorale duke i përkrahur tetë kandidatë, prej tyre gjashtë gra e dy burra.
Në qeverisjen tonë kemi ndarë edhe rreth 2,000 bursa për nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në vlerë të përgjithshme rreth 625,000 euro, si dhe 170 bursa për studentë nga këto komunitete në vlerë 1,000 euro (92 djem, 23 vajza) – pra trefishim i mbështetjes në krahasim me të gjitha qeveritë e kaluara marrë së bashku.”– deklaroi Kurti.
Në fund, kryeministri në detyrë i uroi të rinjët për këtë ditë si dhe u propozoi që të mos e ndalin komunikimin e kërkesat ndaj tij e qeverisë së tij. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Blerim Gashani, ministër i Rinisë dhe i Sportit, i cili potencoi se arsyeja pse janë mbledhur sot aty ka qenë për t’i dëgjuar rininë dhe kërkesat e tyre.
“Duam ta shfrytëzojmë këtë mundësi edhe për t’u takuar me rininë, për ta dëgjuar nga afër, për të dëgjuar idetë e rinisë, shqetësimet dhe, pse jo, edhe kritikat. Sepse vetëm kështu mund të kuptojmë më mirë se çfarë presin të rinjtë prej nesh.” – u shpreh Gashani. Ai tha se ekzistojnë tri pyetje që do të ua parashtrojnë të rinjëve “Çfarë dëshiron të arrish në të ardhmen?
Çfarë të pengon për të arritur këtë? Çfarë mbështetje të nevojitet?”. Sipas tij, përgjigjet e këtyre pyetjeve mund t’i tregojnë qeverisjes së tyre edhe më shumë. “Sepse pas çdo statistike për punësimin, arsimin, mobilitetin, pjesëmarrjen apo mirëqenien e të rinjve, qëndron një person, është një i ri me një histori, me një ëndërr e me sfida konkrete.
Është një i ri që ka një ide të mirë, por nuk e di ende se si ta realizojë; është një e re që ka talent, ambicie dhe vullnet, por përballet me pengesa që nuk varen vetëm për nga puna e saj; është një i ri që dëshiron të udhëtojë, të mësojë, të fitojë përvojë, të jetë vullnetar, të merret me sport, apo të ndërtojë një biznes, por ndoshta nuk e di ende se ku ta gjejë mundësinë e duhur.” – u shpreh ai.
Gashani ndër të tjera shtoi se pikërisht kjo është pjesa ku ata e shohin përgjegjësinë e tyre institucionale, në mënyrë që, sipas tij, t’ua krijojnë të rinjve hapësirën dhe mundësinë që ata të bëhen pjesë e një te ardhme të suksesshme.
