Posta e Kosovës ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook se sot lëshon në qarkullim emisionin e pullave postare me titull “Shpella e Radavcit”, kushtuar një prej monumenteve më të veçanta të trashëgimisë natyrore të Kosovës. Shpella e Radavcit përfaqëson një vlerë të rëndësishme të trashëgimisë natyrore dhe kulturore të vendit.
E mbrojtur si monument natyror që nga viti 1983, ajo së bashku me Burimin e Drinit të Bardhë shtrihet në një sipërfaqe prej 89.94 hektarësh dhe përbën një nga komplekset më të veçanta natyrore të Kosovës.
E vendosur pranë fshatit Radavc, rreth 11 kilometra nga Peja, në pjesën verilindore të Bjeshkëve të Nemuna, Shpella e Radavcit është një nga destinacionet e rëndësishme të turizmit natyror në Kosovë. Veçantia e saj natyrore dhe vlera turistike e bëjnë atë një simbol të bukurisë dhe pasurisë së peizazhit natyror të vendit.
“Përmes emisionit filatelik “Shpella e Radavcit”, Posta e Kosovës synon të kontribuojë në promovimin dhe dokumentimin e vlerave natyrore të Kosovës, duke i sjellë ato përmes filatelisë në vëmendjen e publikut vendor dhe ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Postës.
Pullat postare, përveç funksionit të tyre në komunikimin postar, përbëjnë edhe një mënyrë të veçantë për të ruajtur, dokumentuar dhe promovuar trashëgiminë, historinë, kulturën dhe bukuritë natyrore të vendit.
Posta e Kosovës tutje i fton koleksionistët, institucionet, bizneset dhe të gjithë qytetarët që ta bëjnë pjesë të koleksioneve dhe komunikimit të tyre këtë emision të veçantë filatelik, i cili i kushtohet një prej monumenteve më të çmuara natyrore të Kosovës. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
