27 gola së bashku në sezonin e fundit të Serie B, por ende pa një ofertë konkrete që t’i largojë nga klubet e tyre. Ky është paradoksi i Stiven dhe Cristian Shpendit, dy binjakëve shqiptarë që shkëlqyen sezonin e kaluar në Itali.
Stiveni, me fanellën e Empolit, ishte një nga protagonistët e luftës së vështirë për mbijetesë, ndërsa Cristiani u konfirmua edhe një herë si golashënuesi më i mirë i Cesenës. Pas 15 golave të përbashkët një sezon më parë, këtë herë binjakët e rritën ndjeshëm shifrën, duke shënuar plot 27 gola. Një statistikë që normalisht do të duhej të sillte një listë të gjatë klubesh të interesuara.
Por deri tani, valixhet mbeten të papaketuara. Gazzetta dello Sport raporton se për Stivenin, interesi më konkret ka ardhur nga Padova e Antonio Calabros, trajnerit që e kishte aktivizuar në Serie B me Carrarese-n. Empoli është i gatshëm ta shesë dhe raportohet se ka kërkuar rreth 4.5 milionë euro, ndërsa vetë lojtari dhe rrethi i tij po presin një mundësi nga Serie A.
Nëse oferta e duhur nuk mbërrin, Empoli nuk përjashton mundësinë që Stiveni të qëndrojë të paktën deri në janar. Situata e Cristianit është pak më ndryshe. 12 golat e tij në sezonin e fundit dhe vazhdimësia prej tre sezonesh me shifra dyshifrore e bëjnë një sulmues shumë të kërkuar në letër.
Por pengesa kryesore është paga: mbi 500 mijë euro neto në sezon, një shifër që deri tani ka dekurajuar klubet e interesuara. Cesena nuk do ta kishte problem ta shiste, por nga ana tjetër nuk dëshiron të heqë dorë lehtësisht nga një sulmues që garanton gola.
Kështu, pak javë para mbylljes së merkatos, dy binjakët Shpendi janë ende aty ku ishin: Stiveni te Empoli, Cristiani te Cesena, duke pritur ofertën që ende nuk ka ardhur.
