Rusia ka liruar ish-marinsin amerikan Robert Gilman, i cili ndodhej në burg që nga viti 2022 dhe raportohej se ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Gilman, nga Massachusetts-i, është liruar nga autoritetet ruse “për arsye humanitare” dhe të martën është transportuar me një aeroplan amerikan drejt Uashingtonit.
Lirimin e tij e bëri të ditur Kiril Dmitriev, emisari i posaçëm i presidentit rus Vladimir Putin. Senatori amerikan Ed Markey tha se Gilman po përballej me një rast të rëndë të pneumonisë para lirimit të tij. Sipas Markeyt, rreth 50 ditë më parë Gilman ishte diagnostikuar edhe me një gjendje shëndetësore që e kishte bërë të paaftë të reagonte, të komunikonte apo të ushqehej.
Detajet e plota për gjendjen e tij aktuale nuk janë bërë të ditura. Gilman ishte 28 vjeç kur u arrestua në vitin 2022, pasi ishte akuzuar se kishte shkelmuar një polic derisa ndodhej i dehur në një tren që po udhëtonte drejt Moskës. Pas kthimit në Shtetet e Bashkuara, ai është vendosur nën kujdesin e mjekëve. Një zyrtar amerikan ka thënë se Gilman “duket se është në formë të mirë”.
Familja e tij po pret që ai të transferohet në një spital ushtarak në Teksas. Motra e Gilmanit, Lexie Hudson, ka falënderuar presidentin Donald Trump për angazhimin në lirimin e tij, duke pretenduar se ndërhyrja e presidentit amerikan i ka shpëtuar jetën vëllait të saj. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!