Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se territori i Kosovës nuk është territor serb dhe se burimet natyrore që ndodhen brenda tij nuk i përkasin Serbisë. Deklarata e Ramës erdhi në kuadër të debatit për lumin Ibër, pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së tij.
Rama ka thënë se Shqipërisë nuk i nevojitet një projekt i “Shqipërisë së Madhe” për të mbështetur Kosovën, duke kundërshtuar retorikën e Beogradit që e lidh mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën me pretendime territoriale. “Territori i Republikës së Kosovës nuk është territor serb dhe burimet natyrore që ndodhen brenda tij nuk janë burime të Republikës së Serbisë”- ka shkruar Rama në X.
Ai ka theksuar se Kosova është shtet më vete dhe se shqiptarët e Kosovës kanë Republikën, institucionet dhe të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e tyre. “Kosova është shtet më vete. Shqiptarët e Kosovës janë shqiptarë të Kosovës. Ata kanë Republikën e tyre, institucionet e tyre dhe të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e tyre.
Ne gjithmonë do të qëndrojmë në mbështetje të kësaj të drejte”- ka shkruar Rama. Rama ka kritikuar edhe përmendjen e vazhdueshme të “Shqipërisë së Madhe” në Beograd sa herë që Shqipëria flet për Kosovën.
“Sa herë që Shqipëria flet për Kosovën, ‘Shqipëria e Madhe’ duhet të thirret menjëherë, sikur përsëritja një ditë mund ta shndërrojë një fantazmë të vjetër në një argument të rëndësishëm”, ka shkruar ai. Sipas Ramës, Shqipëria nuk ka pretendime ndaj territorit të Serbisë dhe nuk ka nevojë të shpikë pretendime të tilla për të qëndruar përkrah Kosovës.
Ai ka shtuar se Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën si “një shtet legjitim evropian” dhe pjesë të rëndësishme të stabilitetit të rajonit. Rama ka folur edhe për të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, duke theksuar se siguria, prona, gjuha dhe trashëgimia kulturore e tij duhet të mbrohen.
Në lidhje me Ibrin, Rama ka thënë se lumi është një sistem ujor ndërkufitar dhe se Serbia mund t’i menaxhojë burimet brenda juridiksionit të saj, por nuk mund të pretendojë se pasojat e mundshme për një shtet tjetër ndalen në kufirin serb.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, ka reaguar sërish më , duke kundërshtuar përfshirjen e Shqipërisë në debatin për Ibrin dhe duke e zhvendosur vëmendjen te pretendimet për rrënimin e shtëpive të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit.
Debati nisi pas deklaratave të Vuçiqit më , për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, ide të cilën ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cilësoi si “absurde”, “kërcënuese” dhe “shoviniste”.
Haxhiu, ka thënë se deklaratat e fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër përbëjnë shqetësim serioz për Kosovën dhe duhet të adresohen me partnerët ndërkombëtarë.
Duke folur për prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës, Haxhiu u ka bërë thirrje diplomatëve kosovarë që t’i informojnë qeveritë e vendeve ku shërbejnë për pasojat e mundshme të çdo ndërhyrjeje në rrjedhat ujore ndërkufitare.
Ajo ka theksuar rëndësinë strategjike të sistemit Ibër-Lepenc dhe liqenit të Ujmanit për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë, bujqësinë dhe jetën e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës. “Një tjetër shqetësim serioz që duhet të adresohet me partnerët tanë ndërkombëtarë janë deklaratat e fundit të Vuçiqit për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Siç e dini, Ibër-Lepenci dhe liqeni i Ujmanit janë pjesë e një sistemi strategjik për furnizimin me ujë, energjinë, bujqësinë dhe jetën e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës”- ka thënë Haxhiu në hyrje të konferencës të ambasadorëve më .
Sipas saj, çdo ndërhyrje e njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare nuk do të ishte vetëm çështje teknike, por do të mund të kishte pasoja në sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Kosovës.
“Ndërhyrja e njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare do të kishte pasoja shumë përtej një çështjeje teknike, ngase do ta prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Republikës sonë”- ka deklaruar ajo.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, citohet të ketë deklaruar se po e shqyrtojnë ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë, për shkak të siç tha – qëndrimit të autoriteteve kosovare ndaj popullit serb në Kosovë. “Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë.
Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen” – citohet të ketë deklaruar Vuçiq të dielën, më , gjatë vizitës së punimeve në Urën e Vjetër Hekurudhore në Beograd.
Lumi Ibër, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas në Kosovë, ku furnizon liqenin artificial të Ujmanit. Rreth dy të tretat e liqenit ndodhen në territorin e Kosovës. Sistemi Ibër-Lepenc furnizon me ujë disa komuna të Kosovës, përdoret për ujitje dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq.
