Ansu Fati ka zbuluar se ka ndier “edhe trishtim, edhe gëzim” pasi përfundoi transferimin e përhershëm nga Barcelona te Monaco gjatë kësaj vere. Sulmuesi nënshkroi kontratë katërvjeçare me Monacon, pas transferimit për rreth 11 milionë euro nga Barcelona, klub ku ishte zhvilluar që në akademinë La Masia.
Fati bëri debutimin me ekipin e parë të Barcelonës në sezonin 2019/20 dhe paraqitjet e tij mbresëlënëse bënë që ai të trashëgonte fanellën ikonike me numrin 10 pas largimit të Lionel Messit drejt Paris Saint-Germain. Në moshën 16 vjeç e 318 ditë, Fati u bë lojtari më i ri në shekullin 21 që shënonte dhe asistonte në një ndeshje të La Ligës.
Megjithatë, një dëmtim në nëntor të vitit 2020 e la jashtë fushave për nëntë muaj, ndërsa në sezonin pasues pësoi edhe dy lëndime në muskujt e kofshës. “E vërteta është se kur firmosa me Monacon, ndjeva edhe trishtim, edhe gëzim”, deklaroi Fati për AS. “Kam qenë te Barcelona për shumë vite dhe po lë pas shumë miq dhe njerëz që punojnë në La Masia.
Të gjithë më kanë shkruar, më kanë dërguar mesazhe dhe edhe unë jam përshëndetur me ta”. “Ditët e para ishin të trishtuara, por kështu është jeta. Duhet të pranosh atë që vjen dhe të vazhdosh të shikosh përpara”. Në moshën 17 vjeç e 311 ditë, Fati u bë gjithashtu lojtari më i ri që ka shënuar për Spanjën, pasi realizoi në shtator të vitit 2020.
Paraqitjen e fundit me kombëtaren spanjolle ai e bëri gjatë kualifikueseve për Euro 2024, por tani shpreson të rikthehet te përfaqësuesja përmes paraqitjeve të mira me Monacon. “Po, pse jo”, u përgjigj Fati kur u pyet nëse synimi i tij është rikthimi te kombëtarja. “Edhe ky është synimi im: të vazhdoj të punoj, të jem në gjendje të luaj dhe të jem i gatshëm për pothuajse çdo ndeshje.
“Nëse e arrij këtë, mendoj se nuk do të ketë dyshime se mund të arrij nivelin që dëshiroj”. Në total, Fati bëri 123 paraqitje me Barcelonën, duke kontribuar drejtpërdrejt në 35 gola, me 29 gola dhe gjashtë asistime. Gjatë kësaj periudhe, ai fitoi dy tituj të La Ligës, dy Kupa të Mbretit dhe një Superkupë të Spanjës.
