Kosova po përmendet si destinacion i mundshëm për të burgosurit e huaj nga Britania, pas propozimit të liderit të Reform UK, Nigel Farage, që të dënuarit të vuajnë dënimet jashtë vendit. Propozimi ka nxitur reagime edhe në Kosovë, ku njohës të sigurisë dhe të drejtave të njeriut vlerësojnë se transferimi i të dënuarve të huaj mund të ketë pasoja për vendin dhe imazhin ndërkombëtar.
Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, në një prononcim për Radio Dukagjinin, ka shprehur shqetësimin se Kosova mund të shndërrohet në strehë për të dënuarit nga shtetet evropiane. “Kosova po bëhet atraksion që kriminelët më të rrezikshëm, që nuk i mban asnjë shtet në Evropë, të vijnë këtu.
Në anën tjetër, është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe një detyrim i hapur që u bëhet të burgosurve të Kosovës, të cilët kanë sjellje shumë më të mirë sesa ata që do të vijnë këtu, qoftë nga Danimarka apo nga shtetet tjera. As Danimarka, as Anglia e as ndonjë shtet tjetër nuk i sjell në Kosovë shtetasit e vet”, ka thënë Shala për Radio Dukagjinin.
Edhe njohësi i sigurisë, Fadil Kajtazi, vlerëson se ofrimi i kapaciteteve të burgjeve të Kosovës për të dënuarit e vendeve evropiane mund të sjellë pasoja. “Ndikon jo mirë. Nuk është diçka që na shënohet si pozitive në forume ndërkombëtare. Mund të jetë pozitive për ne brenda nesh, si një akt përfitimi material”, ka deklaruar Kajtazi për Radio Dukagjinin.
Kosova tashmë ka një marrëveshje me Danimarkën për transferimin e të burgosurve për vuajtjen e dënimit. Të burgosurit e parë danezë pritet të mbërrijnë në Kosovë në fillim të vitit 2027. Propozimi i Farage vjen në një kohë kur në Britani po diskutohet mundësia që një pjesë e të burgosurve të huaj të vuajnë dënimet jashtë territorit britanik.
