Bravo Zelenski!

0%

Të shpallësh pavarësi të njëanshme është rezultat i guximit dhe sakrificës së një populli, por që ajo pavarësi të bëhet realitet duhet të mbrohet ose të sigurohet nga ndihma e jashtme, sidomos kur përballë kemi një pushtues me armatë më të fuqishme.

Nëse një popull liridashës synon t’i shpëtojë diskriminimit, getoizimit dhe epërsisë poshtëruese të pushtuesit, por nuk e ka ushtrinë e pajisur mirë apo ndihmën nga jashtë, atëherë shpallja mund të mbetet vetëm deklaratë politike, ndërsa vendi mbetet tutje nën pushtim. Pavarësi të njëanshme kanë shpallur SHBA-të në vitin 1776, pa e pyetur për pajtim Mbretërinë e Britanisë së Madhe.

As Greqia në vitin 1821 nuk ka pyetur për pajtim Perandorinë Osmane. Edhe Shqipëria në vitin 1912 nuk ka pasur autorizim nga Perandoria Osmane. Pavarësi të njëanshme në kohën më të re kanë shpallur Sllovenia në vitin 1991, Kroacia dhe Maqedonia gjithashtu në atë vit, si dhe Bosnja dhe Hercegovina në vitin 1992, të gjitha pa pajtimin e autoriteteve qendrore jugosllave.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ato u pranuan si shtete të pavarura, ndër të tjera edhe për faktin se ishin republika federale, por nuk ekziston ndonjë vendim gjyqësor që të ketë legjitimuar në mënyrë të përgjithshme ato shpallje të njëanshme. Kosova në vitin 2008 shpalli pavarësinë pa pëlqimin e Serbisë.

Sepse popujt e pushtuar nuk pyesin pushtuesin, siç e pamë nga SHBA-ja deri në Ballkan, por sigurisht që ka edhe vende të tjera. Dy vite më vonë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës, e 17 shkurtit 2008, nuk e shkeli të drejtën ndërkombëtare. E shkeli Zelenski.

Gjykata nuk tha se çdo popull ka automatikisht të drejtë të shkëputet nga një shtet, por konstatoi qartë se vetë deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e shkeli të drejtën ndërkombëtare. Zelenski, duke mbështetur qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës, po merr një pozicion që bie ndesh me këtë konstatim të Gjykatës dhe foli për Kosovën mu ashtu si Putini flet për Ukrainën.

Zelenski nuk kundërshtoi vetëm pavarësinë e Kosovës, por, në logjikën e qëndrimit të tij, anashkaloi edhe sakrificën e popullit të Kosovës: masakrimin dhe vrasjen e mbi 13.000 qytetarëve, mes tyre mbi një mijë fëmijë, mbi 20.000 gra të dhunuara, transportimin dhe fshehjen e kufomave nëpër Serbi e Kosovë, si dhe dëbimin e mbi 50% të popullsisë së Kosovës.

Nëse Ukraina do të përjetonte dëbimin e 50% të popullsisë së saj, atëherë, me 39 milionë banorë sa ajo mund të ketë, do të nënkuptonte dëbimin e rreth 20 milionë ukrainasve. Dhe Zelenski e di shumë mirë se Ukraina ka shpallur pavarësinë nga BRSS-ja në mënyrë të njëanshme, mu si edhe Kosova nga ish-Jugosllavia.

Pra, mbështetja e qëndrimit të Serbisë ndaj Kosovës nga Zelenski do të thotë, në logjikën politike të këtij qëndrimi, mbështetje e politikës ruse në Ukrainë. Pse? Sepse Rusia është duke bërë mu atë që bëri Serbia në Kosovë: përdor dhunën për të mbajtur nën kontroll një territor dhe një popull që kundërshton pushtetin e saj.

Rusia dëshiron ta mbajë Ukrainën nën kontroll dhe ta copëtojë atë, mu si Serbia që ëndërron ta bëjë Kosovën pjesë të Serbisë. Atë ëndërr e mbështeti Zelenski. Bravo! Pavarësia ose ndarja me marrëveshje ka ndodhur mes Çekisë dhe Sllovakisë, si dhe në rastin e shpërbërjes së bashkësisë shtetërore mes Serbisë dhe Malit të Zi.

Mirëpo këto raste nuk ishin koloni të njëra-tjetrës dhe nuk mund të krahasohen me Kosovën, ku një popull kërkonte të shkëputej nga një shtet që e kishte mbajtur nën diskriminim, represion dhe pushtim. E njëjta gjë vlen edhe për trojet shqiptare të pushtuara nga Serbia në Maqedoni, në Luginë dhe në Mal të Zi.

Serbia e ka dëmtuar dhe copëtuar kombin shqiptar si asnjë vend tjetër dhe vazhdon ta kërcënojë. Si do të jetonin shqiptarët në një Serbi të tillë, mund të shihet nga mënyra se si jetojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Në një hapësirë ku jetojnë mbi 100.000 shqiptarë, (mbi 100.000 tjerë janë dëbuar), mungojnë shërbime të mjaftueshme shëndetësore dhe ata detyrohen të drejtohen drejt spitaleve në Vranjë e Nish. Ku duhet të paguajnë, ku vdesin para kohe!

Pra, nëse dikush pyet se si do të jetonin shqiptarët e Kosovës nën Serbi, përgjigjja nuk kërkon shumë imagjinatë: mjafton të shikojë realitetin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. (Mirëpo, më në fund Edi Rama do të hapë një konsullatë, ku do t’u predikohet shqiptarëve se spitali nuk u duhet dhe se diskriminimi serb është fat, që nuk duhet ndryshuar e as kritikuar!) BBRAVO EDI!

Paradoksi është se Zelenski lufton për pavarësinë e Ukrainës, por në Beograd mbron një qëndrim që ia mohon Kosovës të drejtën për të mos qenë pjesë e një shteti kolonial, që ushtroi gjenocid.

Në fakt, ai po pozicionohet ndaj Kosovës mu si Putini ndaj Ukrainës: në të dyja rastet vihet në plan të parë integriteti territorial i shtetit dhe mohohet vullneti i popullit që kërkon largimin nga aparheidi.. Këtu kemi vetëm një dallim mes imperializmit rus dhe atij serb: Serbia e do Kosovën, por pa shqiptarë; Rusia e do Ukrainën me ukrainas, por i konsideron rusë.

Kaq, për një mendim idiot­esk: lufton për lirinë e vet, ndërsa tjetrit ia mohon të drejtën dhe sakrificën për liri, në kohën kur vendi i tij gjendet në copëtim e sipër. Bravo, Zelenski!

Burimi: Bota Sot