Në ditën e 71-të të protestës në Tiranë, marshimi është zhvendosur drejt ambasadave të Serbisë dhe Ukrainës. Protestuesit kanë brohoritur “UÇK, UÇK”, ndërsa kanë përcjellë edhe mesazhe në drejtim të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, një ditë pas takimit të tij në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, shkruan Lapsi.al .
Gjatë konferencës së përbashkët për media, Zelensky deklaroi se Ukraina nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj për mosnjohjen e Kosovës si shtet të pavarur. Deklarata ka shkaktuar reagime në Kosovë, ndërsa ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, e cilësoi atë si për keqardhje.
Një pjesë e protestuesve shqiptarë kanë improvizuar edhe një ndryshim simbolik të emrit të rrugës në Shqipëri, e cila aktualisht quhet “Ukraina e Lirë”. Pas deklaratave të Zelenskyt, protestuesit e kanë quajtur atë “Dardania e Lirë”, ndërsa kanë vijuar me thirrjet në mbështetje të UÇK-së. Ndërkohë, në Prishtinë është hequr edhe banderola gjigante “Free Ukraine” nga Grand Hotel.
