– Kurti: Zgjerimi ushtarak i Serbisë lidhet me synimet e saj hegjemoniste Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë përbën pjesë të një strategjie më të gjerë politike dhe diplomatike, e cila, sipas tij, lidhet me synimet hegjemoniste të Beogradit në rajon dhe veçanërisht ndaj Kosovës.
“Zhvillimet gjeopolitike të kohës sonë, përfshirë ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, kanë rritur ndjeshmërinë e sigurisë në rajon.
Zgjërimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë nuk është thjesht përpjekje për të modernizuar ushtrinë e saj, por një strategji më e gjerë politike dhe diplomatike, e cila lidhet drejtpërdrejt me synimet e saj hegjemoniste karshi rajonit tonë, e veçanërisht Kosovës” , ka theksuar Kurti në Konferencën e 9-të të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, e cila po mbahet në Prishtinë me temën “Kosova në një botë në ndryshim: Siguri, Partneritet dhe Zhvillim”.
Në fjalën e tij, Kurti tha se mjedisi ndërkombëtar është bërë më kompleks dhe se roli i ambasadorëve nuk kufizohet më vetëm në marrëdhëniet tradicionale ndërmjet shteteve. “Angazhimi përtej marrëdhënieve tradicionale shtet me shtet imponon më shumë se sa përfaqësim formal.
Ai kërkon punë të vazhdueshme për të krijuar kontakte, për të ndërtuar partneritete dhe për të hapur mundësi të reja për vendin” , tha Kurti. Ai foli edhe për ndryshimet në sigurinë globale, duke përmendur tensionet gjeopolitike, konkurrencën ndërmjet fuqive të mëdha, si dhe zhvillimet në fushën e inteligjencës artificiale dhe informatikës kuantike.
Sipas Kurtit, agresioni rus ndaj Ukrainës ka ndryshuar perceptimet për paqen dhe stabilitetin në Evropë. “Që nga koha e agresionit rus kundër Ukrainës, supozimet e dikurshme mbi paqen dhe stabilitetin, të ndërtuara pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, nuk qëndrojnë më.
Përdorimi i forcës ushtarake, kapaciteteve kibernetike, fushatave dezinformuese dhe ndikimit politik të Rusisë te vendet e tjera kanë nxjerrë në sipërfaqe natyrën në zhvillim e sipër të konflikteve moderne.
Përmes veprimeve të saj, Rusia ka demonstruar se këto konflikte zhvillohen përtej fushëbetejave, duke uzurpuar hapësirën digjitale dhe duke prodhuar forma të reja të kërcënimeve hibride”, deklaroi ai. Kryeministri në detyrë theksoi gjithashtu rrezikun që paraqesin fushatat e dezinformimit dhe manipulimit të informacionit.
“Manipulimi dhe ndërhyrja e huaj në informacion ndryshon edhe mënyrën e të bërit diplomaci. Diplomatët e ditëve të sotme duhet të merren edhe me menaxhimin e informacionit, edhe me luftimin e dezinformimit, e edhe me ruajtjen e besimit nga publiku. Është tejet e rëndësishme që të identifikoni dhe t’i kundërshtoni narrativat e rreme.
Kjo mund të bëhet më së miri duke u ofruar informacion të mbështetur në fakte për arritjet tona dhe duke u angazhuar me akterë të ndryshëm joshtetëror edhe në platformat digjitale në kohë reale”, tha Kurti.
Kurti: Kosova e përcaktuar në vazhdimësinë e partneritetit me SHBA-të Duke folur për situatën në Ballkanin Perëndimor, Kurti tha se ndikimi i Rusisë në rajon dhe zhvillimet në Serbi kanë rritur ndjeshmërinë e sigurisë. Kurti tha se retorika e liderëve serbë dëshmon vijimësinë e pretendimeve ekspansioniste të Serbisë në rajon.
Ai theksoi se Kosova, përballë këtyre zhvillimeve, është përcaktuar për forcimin e institucioneve demokratike, rritjen e kapaciteteve të sigurisë dhe thellimin e partneriteteve ndërkombëtare.
“Për Kosovën, kjo nënkupton vazhdimësinë e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatë të tjerë që ndajnë të njëjtat vlera dhe që mbeten të përkushtuar për të ruajtur një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, tha Kurti.
Sipas tij, partneriteti me NATO-n dhe programet e bashkëpunimit dypalësh janë ndër shtyllat kryesore për konsolidimin e kapaciteteve të sigurisë së Kosovës. “Prania dhe roli i NATO-s në Kosovë dhe rajon mbeten faktor kyç për ruajtjen dhe garantimin e stabilitetit rajonit.
Roli ynë diplomatik merr një rëndësi të veçantë në këtë periudhë, jo vetëm për të mbrojtur interesat tona kombëtare, por edhe për të prezantuar një Kosovë të zhvilluar e prosperuese, të besueshme dhe të gatshme të kontribuojë në paqen, sigurinë dhe zhvillimin e përbashkët rajonal, evropian e ndërkombëtar”, shtoi Kurti.
Ai përmendi edhe marrëveshjen trilaterale ushtarake me Shqipërinë dhe Kroacinë, marrëveshjet dypalëshe me SHBA-në, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe shtete të tjera, si dhe misionet e përbashkëta me ushtritë e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në Kuvajt, Belize dhe Ishujt Folkland.
Kryeministri në detyrë foli edhe për zhvillimet në politikën e jashtme, duke thënë se gjatë vitit 2025 Kosova ka marrë njohje të reja nga Kenia, Sudani, Siria dhe Bahamet, siç tha, duke i dhënë momentum një procesi që për disa vite kishte ngecur përtej mundësive tona.
“Pasaportat e Kosovës janë fuqizuar dukshëm dhe sivjet, në 2026, radhitet në vendin e 57-të, krahasuar me vendin e 108-të në vitin 2021.
Kemi shënuar përparim të rëndësishëm në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit, duke çuar tutje procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, duke avancuar statusin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, si dhe duke aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Njëkohësisht kemi siguruar anëtarësim në 15 organizata të huaja, duke zgjeruar integrimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë”, tha ai. Kurti: Kosova parashikohet të ketë rritjen më të shpejtë ekonomike në Evropë Në fjalën e tij, Kurti u ndal edhe te zhvillimi ekonomik i vendit. Sipas tij, Kosova po renditet ndër ekonomitë me ritmin më të madh të rritjes ekonomike.
“Si qeveri kemi punuar për të renditur Kosovën ndër ekonomitë me ritmin më të madh të rritjes ekonomike. Sipas të dhënave të fundit Monetare Ndërkombëtare, Kosova parashikohet të mbetet vendi me rritjen më të shpejtë ekonomike në Evropë, me rreth 4%. Kemi dyfishuar eksportet, duke përmirësuar raportin eksport-import nga 1 me 9 sa ishte, në 1 me 6 sa është.
Gjatë viteve të kaluara, investimet e huaja direkte kanë kaluar për herë të parë shumën prej 1 miliard eurosh. Të hyrat buxhetore janë rritur e bashkë me to edhe shpenzimet kapitale”, tha Kurti.
Sipas Kurtit, gjithë ky progres e bën Kosovën një aktor edhe më të besueshëm në arenën globale, andaj sipas tij, nuk është rastësi që tash nuk ndodhemi më në vendet e konsideruara si të brishta e të cenueshme.
“Gjatë muajit të kaluar, Bashkimi Evropian ka dërguar njoftimin zyrtar se Kosova do të përfitojë 206.4 milionë euro nga fondet e saj në kuadër të me programeve IPA për vitet 2026 dhe 2027. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve do të investohen në projekte të infrastrukturës si energji, mjedis, menaxhim të kufijve, si dhe qeverisjes të mirë dhe avancim të sundimit të ligjit.
Do të vazhdojmë angazhimin tonë për t’i siguruar Kosovës statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, për t’i filluar negociatat për anëtarësim, duke vijuar njëkohësisht zbatimin e reformave të cilat rrjedhin nga procesi i integrimit evropian”, nënvizoi Kurti.
Kurti: Ambasadorët të promovojnë artistët dhe shkencëtarët e Kosovës Në pjesën përmbyllëse të fjalimit, Kurti theksoi rëndësinë e diplomacisë publike në promovimin e Kosovës në botë.
“Diversiteti kulturor, një popullsi e re dhe e aftë për ta përdorur teknologjinë e informatikës, si dhe një diasporë e madhe me vullnet të paepur dhe përkushtim të padiskutueshëm për të kontribuuar në zhvillimin e vendit, e bëjnë Kosovën një shtet me potencial të konsiderueshëm për diplomaci publike” , tha ai.
Kurti u bëri thirrje ambasadorëve që gjatë aktiviteteve të tyre jashtë vendit të promovojnë artistët, shkencëtarët, shkëmbimet kulturore e arsimore dhe potencialin e diasporës.
“Në kuadër të aktiviteteve tuaja, ju ftoj të promovoni sa më shumë artistët tanë, shkencëtarët tanë, shkëmbimet kulturore e arsimore, potencialin e diasporës, si dhe iniciativat që pasqyrojnë vlerat, identitetin dhe arritjet e Kosovës”, tha ai. – Haxhiu kërkon reagim ndërkombëtar: Serbia vazhdon politikën hegjemoniste Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu kërkoi vlerësimin e përparimit të Kosovës në raport me anëtarësimin në BE konform kritereve të kërkuara dhe jo pengesave që hasen nga shteti fqinj.
Në edicionin e nëntë të Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, që po mbahet në Prishtinë, me temën “Kosova në një botë në ndryshim: Siguri, Partneritet dhe Zhvillim”, Haxhiu në raportet me Serbinë kërkoi drejtësi për sulmin terrorist në Bansjkë, zbardhjen e fatit të të zhdukurve, hapjen e arkivave dhe ndaljen e deklaratave shoviniste.
Haxhiu: Serbia vazhdon politikën hegjemoniste, adresimi i çështjeve i domosdoshëm për normalizim “Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për sulmin me bomba në Banjskë, për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve, qytetarëve të tjerë, për dorëzimin e kryeteroristit Milan Radojiçiq dhe të tjerëve të përfshirë në këtë sulm terrorist, por po ashtu edhe për zbardhjen e fatit të mbi 1,500 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Adresimi i këtyre çështjeve është pjesë e domosdoshme e çdo procesi që synon një normalizim të vërtetë dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, potencoi ajo. Ajo kërkoi nga diplomatët komunikim të vazhdueshëm me institucionet, për gërmimet që po realizohen në Subotand, në Kalludër të Vogël dhe Jabukë.
“Partnerët tanë duhet ta dinë se edhe sot, në Kosovë, po gjenden dëshmi të reja të krimeve të luftës dhe se drejtësia për viktimat e familjet e tyre ende pret përgjigje. Prandaj duhet t’i bëhet presion Serbisë që të hapë arkivat” , tha ajo. Haxhiu përmendi edhe deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili ka thënë se duhet ndryshuar rrjedha e lumit Ibër.
Ajo tha se idetë e tilla që ringjallin qasje shoviniste dhe destabilizuese ndaj Kosovës duhet të marrin vëmendjen dhe reagimin e duhur ndërkombëtar. “Serbia vazhdon politikën e saj hegjemoniste ndaj Kosovës. Një tjetër shqetësim serioz që duhet ta adresojmë me partnerët tanë ndërkombëtarë janë edhe deklaratat e fundit të Vuçiqit për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Siç e dini, Ibër-Lepenci dhe liqeni i Ujmanit janë pjesë e një sistemi jetik për furnizimin me ujë, për energjinë, bujqësinë dhe jetën e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës.
Ndërhyrja njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare do të kishte pasoja shumë përtej një çështjeje teknike, ngaqë do ta prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Republikës sonë” , vazhdoi u.d. presidentja.
Haxhiu për vendet mos njohëse: Nëse duam ndryshim qëndrimi, duhet të njohim argumentet Haxhiu ka folur edhe për pozitën e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, duke potencuar 121 njohjet shtetërore. Ajo u ndal edhe te shtetet që vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e vendit, duke thënë se duhet bërë analizë pse ndodh ky fenomen. “Mosnjohjet nuk janë një kategori e vetme politike.
Spanja nuk ka të njëjtën histori me Greqinë, Greqia nuk ka të njëjtat interesa me Sllovakinë, dhe asnjëra prej tyre nuk e sheh Kosovën në të njëjtën mënyrë si një shtet në Amerikën Latine apo në Azi. Nëse duam ta ndryshojmë një qëndrim, duhet së pari të kuptojmë se çfarë i shqetëson, çfarë interesash kanë dhe cili argument mund të ketë kuptim për ta” , tha ajo.
Ajo përmendi konstatimin e Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi, se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. “Këtë argument duhet ta përdorim, por natyrisht nuk do të mbetemi vetëm te ai. 18 vjet pas pavarësisë kemi mundësi t’u flasim shteteve që ende nuk na njohin edhe për Kosovën që e kemi ndërtuar dhe për atë që mund ta bëjmë së bashku” , tha Haxhiu.
Haxhiu: Përparimi i Kosovës të varet nga kriteret e BE-së, jo nga pengesat e shtetit tjetër Ajo përmendi përpjekjet e Kosovës për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, duke thënë se rregullat për anëtarësim duhet të jenë të njëjta për çdo shtet në Ballkanin Perëndimor.
“Orientimi ynë euroatlantik është i qartë, por një rend i mbështetur në rregulla është i besueshëm vetëm nëse rregullat vlejnë njësoj dhe kur zbatimi i tyre është politikisht i vështirë.
Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor ftohen t’i plotësojnë kriteret e integrimit, atëherë përparimi duhet të varet nga kriteret dhe jo nga pengesat të cilat një vend nuk mund t’i zgjidhë përmes reformave të veta.
Kjo duhet të jetë pjesë e argumentit tonë në secilin kryeqytet evropian” , ka thënë ajo. – Konjufca: Serbia është burim kryesor i kërcënimit për Kosovën Serbia është burim kryesor i kërcënimit për Kosovën dhe paqen në rajon, tha ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
Ai, në edicionin e nëntë të Konferencës së Ambasadorëve të Kosovës, tha se marrëdhëniet e ngushta të Serbisë me Rusinë, refuzimi për të mbështetur sanksionet ndaj Moskës, si dhe bashkëpunimi ushtarak me Kinën, përbëjnë kërcënim për sigurinë në rajon.
Konjufca theksoi se Kosova i ka marrë seriozisht deklaratat e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila kishte thënë se, po të ishte në vend të Millosheviqit, do ta spastronte etnikisht Kosovën. Sipas tij, qëndrimet tolerante të BE-së ndaj pozicioneve të tilla të Serbisë e kanë inkurajuar Serbinë të mos heqë dorë nga ambiciet e saj hegjemoniste.
Konjufca: Serbia është burim kryesor i kërcënimit për Kosovën dhe paqen në rajon “Të pasurit në kufi të një fqinji, siç është Serbia, që vazhdon të ketë raporte të ngushta me Rusinë, paraqet kërcënim jo vetëm për Kosovën, por për krejt Ballkanin.
Serbia vazhdon të mos e mbështesë asnjë sanksion kundër Federatës Ruse dhe, të njëjtën kohë, ka intensifikuar bashkëpunimin ushtarak me vende si Kina. Ky orientim i Serbisë është më shumë se një pozicion i dyzuar në arenën ndërkombëtare.
Retorika e pandryshuar agresore e politikës zyrtare serbe kundrejt Republikës së Kosovës dëshmon se Serbia është burim kërcënimi dhe destabiliteti për paqen rajonale dhe evropiane.
Deklarata e ministres serbe se, po të ishte në vend të Millosheviqit, do ta spastronte etnikisht Kosovën, sërish është një deklaratë që duhet të merret seriozisht jo vetëm si shtet i Kosovës, por edhe nga aleatët ndërkombëtarë. Qëndrimet tolerante të BE-së ndaj pozicioneve të tilla të Serbisë e kanë inkurajuar Serbinë të mos heqë dorë nga ambiciet e saj hegjemoniste”, theksoi ai.
Konjufca përmendi edhe rreshtimin e Kosovës me aleancën euroatlantike, duke theksuar qëndrimin e institucioneve ndaj agresionit rus në Ukrainë dhe mbështetjen për masat e ndërmarra nga aleanca perëndimore.
Kryediplomati në detyrë potencoi edhe anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, si dhe dërgimin e ushtarëve të FSK-së në Gaza, si dëshmi e orientimit dhe lojalitetit ndaj partneritetit me SHBA-në.
Konjufca: Anëtarësimi në Bordin e Paqes dhe dërgimi i ushtarëve të FSK-së në Gaza, dëshmi për partneritetin me SHBA-në “Rrethanat e trazuara globale të viteve të fundit kanë dëshmuar se Republika e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur, ka qëndruar e palëkundur në mbështetjen e aleancës perëndimore për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës kundrejt agresionit të Rusisë, si dhe i ka mbështetur të gjitha masat sanksionuese që Aleanca perëndimore ia ka vendosur Federatës Ruse.
Po ashtu, Republika e Kosovës qëndron përkrah aleatit tonë të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjen e tyre për të ndërtuar paqen në Lindjen e Mesme.
Anëtarësimi në Bordin e Paqes të themeluar nga presidenti Trump dhe dërgimi i ushtarëve të FSK-së në Gaza në kuadër të trupës paqeruajtëse janë dëshmi e orientimit dhe lojalitetit tonë ndaj këtij partneriteti që e kemi”, shtoi Konjufca. Ndërkohë, Konjufca tha se gjatë muajve si kryediplomat ka punuar edhe në sigurimin e njohjeve të reja për Kosovën.
Ai tha se vëmendje e veçantë i është kushtuar shteteve që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, duke përmendur takimet dhe komunikimet diplomatike me vende në Evropë, Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine. Çka ka bërë Konjufca si kryediplomat në këta gjashtë muaj? “Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe shteteve që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.
Takimet, kontaktet dhe komunikimet diplomatike me këto shtete në Evropë, Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine. Qasja jonë është e qartë, aty ku nuk ka ende njohje duhet të ketë komunikim të shtuar. Aty ku ka komunikim duhet të ndërtohet besimi dhe aty ku ka besim krijohet hapësira për rezultate të reja diplomatike”, tha Konjufca.
