Një 72-vjeçar është shpëtuar mbrëmjen e së hënës pasi aksidentalisht kishte rënë në një bunar rreth 10 metra të thellë, në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Muzeqinë të Shtimes. Ngjarja ka ndodhur rreth orës , në rrugën “Veteranët e Lirisë”, derisa i moshuari ishte duke ujitur kopshtin në oborrin e tij.
Rasti emergjent është raportuar në Stacionin Policor në Shtime, pas së cilës zyrtarët policorë kanë reaguar menjëherë dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Aty, njëri prej policëve është futur rreth 10 metra në bunar, në përpjekje për ta nxjerrë të moshuarin nga situata e rrezikshme.
Polici ka arritur ta sigurojë 72-vjeçarin me litar, ndërsa dy zyrtarë të tjerë kanë nisur tërheqjen nga jashtë bunarit. Pas përpjekjeve të tyre, i moshuari është nxjerrë i gjallë nga bunari. Ai fillimisht është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore.
Më pas, për trajtim të mëtejmë, është transportuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj. Për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, ndërsa policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale.
Policia Rajonale e Ferizajt ka vlerësuar reagimin e zyrtarëve në shpëtimin e 72-vjeçarit dhe ka falënderuar ekipet emergjente të QKMF-së në Shtime dhe Qendrës Emergjente në Ferizaj për reagimin e shpejtë dhe trajtimin profesional. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
