Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, e ka pranuar se në qumështin “Vita” nuk është gjetur vaj palme, ani se nuk e ka thënë me fjalë. Në një konferencë për media, ai ka ekspozuar disa lloje tjera të qumështit të kompanisë “Abrazen”, në të cilat është gjetur vaj palme.
Në pyetjen e KALLXO nëse në qumështin “Vita” është gjetur vaj palme i padeklaruar, Muja ka thënë se si ministri nuk merren me emra tregtarë, por ka thënë se sipas raportit të AUV-it, nuk ka një raportim të tillë. “Pra ishin mostrat këtu te qumështi, katër lloje të qumështit, katër mostra të ndryshme përmbajnë vaj palme sipas AUV-it, sipas analizave.
Sigurisht kjo nuk është gjetur për të gjithë me një brand, me një markë, por ta keni parasysh. AUV-i dhe Ministria e Bujqësisë aprovojnë subjekte, proceset e prodhimit, aktivitetet, nuk aprovojnë marka tregtare. Markat tregtare janë përgjegjësi e Ministrisë së Tregtisë.
AUV-i merret vetëm me çështjen e aprovimit në përgjithësi që ky subjekt që prodhon aktivitetin qumësht dhe produktet e qumështit. Dhe Vita, siç e shihni, është i licencuar e aprovuar nga Vita- nga AUV-i vetëm për qumësht dhe produktet e qumështit. Askund sipas AUV-it 26 produkte të prodhuara me vaj palme nuk përmbajnë formë të autorizimit apo aprovimit nga AUV-i. Edhe 26 produkte të tjera.
Këto që i qita, jo vetëm produkte të pretenduara shtazore apo që janë shtazore, që janë me yndyrë shtazore, ka edhe 26 të tjera me yndyrë bimore dhe është rasti se edhe kjo e nderuar që do Kosovës se ju e keni pasur synimin që çdo gjë të blihet si qumësht, në marketet e Kosovës çfarë blini si qumësht.
Nuk është qumësht, është qumësht artificial, qumësht analog, nuk është qumësht me yndyrë shtazore”, është shprehur ai. Në fakt, raporti i analizave që e publikoi ekskluzivisht KosovaPress evidenton qumështin “Vita” si produkt të kompanisë që ka rezultuar në përputhje.
“Në mesin e tyre janë “Qumësht Vita 3.2%”, “Djathë i bardhë 100%”, “Jogurt Vita 2.8%”, “Vita Butter Gold 100%”, “My Coë 2.8%” dhe “My Coë 1.5%”. Për disa produkte të linjës “Holla”, prania e yndyrës bimore apo vajit të palmës ishte deklaruar dhe rezultatet janë vlerësuar në përputhje”, thuhet në raportim.
Por, Muja pranoi se kontrollet zyrtare kanë dokumentuar importe të konsiderueshme të qumështit pluhur, koncentratit të hirrës dhe vajit të palmës, në disa produkte të subjektit “ABRAZEN – Qumështorja Vita”. “E para, i kam thënë në konferencën paraprake që bazë janë të dhënat e doganës. Këto janë të dhënat që i kemi marrë nga dogana gjatë kontrollit zyrtar.
Është dokumentuar importi i madh i qumështit pluhur nga disa subjekte, në veçanti subjekti ABRAZEN Qumështorja Vita. Kjo është e pakontestueshme…. Po ashtu është edhe hira pluhur, koncentrati i hirës pluhur, të gjitha të dhënat janë nga dogana për subjektin ABRAZEN Qumështorja Vita dhe subjekte të tjera. Është dokumentuar që po ashtu ka ndodhur ky import.
Siç e shihni tendencën është si në vjet, e realizuar në vitet paraprake, gjendet në vitin e njëjtë. Pra korrespondon me importin e qumështit pluhur. Eksplodimi edhe në këtë rast është nga viti 2021”, tha ai. Ai u ndal te mostrat një lloj qumështit, duke thënë se sipas analizave laboratorike të AUV-së, në katër mostra të ndryshme është konstatuar prani e vajit të palmës.
“Po ashtu, dëshiroj t’ju informoj që gjatë gjithë kësaj periudhe ka pasur përpjekje për ta relativizuar këtë çështje. Ju tregoj me përkushtim e me përgjegjësi, asgjë tjetër përpos zbatimit të ligjit për ushqim, ligjit për konsumatorin. Këto mostra – po i paraqes se do t’jua ofrojmë edhe juve, gazetarë – analizat laboratorike edhe ju do t’i keni në konsultim.
E para është mostra me numër serik 2930. Konstatohet prania e vajit të palmës, pa u deklaruar. Dhe pyetja është: cili është ai qumësht? Më në fund jemi të informuar se bëhet fjalë për qumështin “My Coë” 3.2. Ata që thonin barista – nuk është barista, është qumësht me lopë. Ky është qumështit “My Coë” 3.2% qumësht. Kjo është mostra e parë”, tha ai.
