Një foshnjë vetëm pesë muajshe dhe një grua kanë humbur jetën tragjikisht pasi një varkë motorike u përmbys në ujërat pranë Statujës së Lirisë, në portin e New York-ut. Roja Bregdetare amerikane ndërhyri menjëherë për të shpëtuar personat që ndodheshin në varkën rreth 6.7 metra të gjatë, e cila u përmbys në ujë, transmeton Klankosova.tv.
Pas operacionit të kërkim-shpëtimit, zhytësit gjetën foshnjën dhe gruan pa shenja jete. Të dyja u nxorën nga uji dhe u transportuan me helikopter në një spital në Brooklyn, në gjendje kritike. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ato nuk arritën të mbijetonin. Ende nuk dihet nëse foshnja dhe gruaja kanë qenë të afërme, shkruan Metro, përcjell Sinjali.
Ndërkohë, autoritetet amerikane nuk kanë përcaktuar ende se çfarë shkaktoi përmbysjen e varkës. Hetuesit e Rojës Bregdetare janë nisur për të marrë në pyetje kapitenin e varkës, ndërsa hetimet për tragjedinë vazhdojnë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
