Britney Spears ka bërë një rrëfim të ndjerë në rrjetet sociale, duke folur për marrëdhënien me dy djemtë e saj dhe për plagë të së kaluarës që, sipas saj, ende e prekin emocionalisht. Këngëtarja 44-vjeçare shkroi në X se një bisedë me një prej djemve të saj, i cili i kishte thënë se nuk besonte në Zot, e bëri të reflektonte thellë mbi rolin e saj si nënë.
Spears tregoi se në atë moment u përball me ndjesinë se mund të kishte gabuar në mënyrën se si i kishte rritur fëmijët dhe se dëshironte t’u kërkonte falje për gabimet që mendon se ka bërë ndër vite. Në të njëjtin reagim, artistja riktheu edhe konfliktet e saj të së kaluarës me prindërit, Jamie dhe Lynne Spears.
Ajo pretendoi se prindërit e saj kishin kaluar kohë me djemtë e saj, Sean dhe Jayden, pa dijeninë e saj. Spears shoqëroi rrëfimin me një fotografi të vjetër ku dy djemtë shfaqen duke luajtur në plazh. Sipas këngëtares, ajo kishte mësuar vite më parë se prindërit e saj i kishin marrë djemtë në plazh gjatë verës, ndërkohë që ajo nuk ishte përfshirë në këto dalje.
Britney tha se kjo situatë e kishte bërë të ndihej e përjashtuar dhe thellësisht e lënduar. Pyesja veten pse nuk isha pjesë e daljeve të tyre të fshehta dhe interesante-shkroi ajo, duke treguar se ideja që prindërit e saj mund të ndërtonin kujtime me fëmijët e saj pa të ishte veçanërisht e dhimbshme.
Spears pretendoi gjithashtu se kishte qarë për dy muaj për shkak të asaj periudhe, duke e përshkruar atë si një nga momentet që e kishte prekur më shumë emocionalisht. Britney Spears dhe ish-bashkëshorti i saj, Kevin Federline, kanë dy djem, Sean, 20 vjeç, dhe Jayden, 19 vjeç. Marrëdhënia e këngëtares me babanë e saj ka qenë prej vitesh në qendër të vëmendjes publike.
Për 13 vjet, Britney ishte nën një kujdestari ligjore që kontrollohej kryesisht nga Jamie Spears. Kjo periudhë përfundoi në vitin 2021, pas një beteje të gjatë ligjore dhe një mobilizimi të madh të fansave përmes lëvizjes #FreeBritney.
Rrëfimi i fundit i Spears rikthen edhe një herë në vëmendje betejat e saj familjare dhe përpjekjen për të rindërtuar marrëdhëniet me fëmijët e saj pas vitesh të mbushura me konflikte dhe vështirësi.
