Me temperaturat e larta, sandalet dhe shapkat bëhen zgjedhja e parë për shumë njerëz. Megjithatë, ekspertët thonë se jo çdo model është i mirë për shëndetin e këmbëve, ka shkruar BBC. Sipas doktoreshës, Helen Branthwaite, nuk është e vërtetë që shapkat janë të dëmshme në vetvete, por problemi lind kur kaloni papritur nga këpucë me mbështetje të fortë te shapkat shumë të holla.
“Kjo e vendos këmbën nën më shumë ngarkesë se zakonisht dhe mund të rrisë rrezikun e lëndimeve”, ka shpjeguar ajo. Ekspertja e modës Angela Baidoo ka thënë se këtë verë janë në trend shapkat me takë të ulët, por këshillon të zgjidhen modele që ofrojnë mbështetje më të mirë për shputën.
Ajo rekomandon edhe alternativa si sandalet ortopedike, shapkat e thjeshta me pak mbështetje ortopedike, sandalet me pak platformë e me rripa, si dhe këpucët me platformë, të cilat ofrojnë më shumë stabilitet. Për ata që preferojnë këpucët e rrafshëta, Baidoo ka këshilluar t’i përdorni gradualisht dhe jo t’i mbathni menjëherë për ecje të gjata.
Sipas saj, sandalet e shapkat më të mira e më në modë janë ato me formën e brendit “Crocs”. Këshilla e Badoos, për këmbë të shëndetshme gjatë verë është të zgjidhni këpucë me bazë të fortë dhe mbështetje të mirë. Nëse shapkat përkulen lehtësisht në mes, ajo ka thënë se ato mund të mos ofrojnë mbështetjen e nevojshme.
Kontrolloni rregullisht lëkurën e këmbëve, pasi në këpucët e hapura ajo thahet më shpejt. Përdorni çdo ditë krem hidratues për këmbët, sidomos në thembra. Matni rregullisht madhësinë e këmbëve, pasi ajo mund të ndryshojë me kalimin e viteve.
Sipas ekspertëve, zgjedhja e këpucëve të rehatshme dhe kujdesi i përditshëm për këmbët ndihmojnë në shmangien e dhimbjeve dhe problemeve të tjera gjatë muajve të verës. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
