Një konflikt mes familjarëve në fshatin Seqishtë të Hanit të Elezit ka eskaluar në përleshje fizike, ku janë përdorur dru dhe thikë, ndërsa tre persona kanë përfunduar duke kërkuar trajtim mjekësor.
Sinjali mëson se në rast janë përfshirë B.B., rreth 31-vjeçar dhe E.B, rreth 18-vjeçar si të dyshuar, ndërsa të lënduar janë G.B., rreth 21-vjeçare, A.B, rreth 46-vjeçar dhe N.B, rreth 46-vjeçare. Rasti është raportuar në Polici mbrëmjen e 7 gushtit, pasi Emergjenca në Han të Elezit kishte njoftuar se tre persona kishin kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të lëndimeve trupore.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, viktimat kanë deklaruar se derisa po shkonin së bashku në market, B.B dyshohet se u kishte dalë përpara dhe i kishte ndaluar. Mes tyre fillimisht kishte nisur një konflikt verbal, i cili më pas kishte eskaluar në dhunë fizike. B.B dyshohet se i ka goditur me dru, duke u shkaktuar lëndime trupore. Por përleshja nuk ka përfunduar me kaq.
Gjatë konfliktit, E.B dyshohet se ka përdorur një thikë, me të cilën e ka goditur B.B, duke i shkaktuar një lëndim në krah. Të gjithë personat e përfshirë kanë marrë trajtim mjekësor. Tre të dëmtuarit, pas trajtimit fillestar në Emergjencën e Hanit të Elezit, janë dërguar fillimisht në Ferizaj dhe më pas në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtejshëm.
Pas përfundimit të trajtimit mjekësor, viktimat janë intervistuar nga Policia. Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa dy të dyshuarit të ndalohen për 48 orë. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të përleshjes janë duke vazhduar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
