Një rast i dhunës në familje është raportuar mbrëmë në Prishtinë, ku një grua ka denoncuar ish-partnerin e saj, me të cilin kishte bashkëjetuar më parë, nën pretendimet se po e shqetësonte dhe po i shkaktonte dhunë psikologjike. Sinjali mëson se i dyshuari është R. V., rreth 45-vjeçar, ndërsa viktimë e rastit është M.A., rreth 40-vjeçare.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rasti është raportuar më 7 gusht, rreth orës , në rrugën “Sokol Sopi” në Prishtinë. Viktima ka deklaruar para Policisë se në të kaluarën kishte bashkëjetuar me të dyshuarin, por pas përfundimit të lidhjes ai dyshohet se kishte vazhduar ta shqetësonte dhe ta pengonte në jetën e saj, duke i shkaktuar, sipas denoncimit, dhunë psikologjike.
Rasti është marrë në trajtim nga hetuesi për rastet e dhunës në familje, ndërsa për të është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit. Pas përfundimit të procedurave policore dhe në konsultim me Prokurorinë, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”. I dyshuari është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti do të vazhdojë të trajtohet nga organet kompetente.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
