Situata e Kristjan Asllanit në radhët e Interit padyshim do të shqetësojë trajnerin e Kombëtares shqiptare, Rolando Maran dhe të gjithë tifozët kuqezinj. Por edhe në Itali, mosprania e tij në turneun e Interit në Azi, ka krijuar shumë paqartësi rreth lojtarit.
Edhe vetë e përditshmja sportive italiane “Gazzetta Dello Sport”, i ka kushtuar një artikull futbollistit, me titullin “Inter, ku ka përfunduar Asllani?”, ku qartëson disi situatën e tij. “Pyetja është legjitime dhe herë pas here lind: ku ka përfunduar Kristjan Asllani?
Edhe ai është listuar si lojtar “i tepërt”, por ndryshe nga Fratezi dhe Pavard – lojtarët e tjerë të Interit në dalje – mesfushori humbi turneun aziatik për shkak të një dëmtimi të pësuar gjatë kampit të parë stërvitor në Gjermani, por në përgjithësi, ai është jashtë projektit teknik të Kivus. Asllani qëndroi të stërvitej në Itali në pritje të një sistemimi.
Duke iu bashkuar zikaltërve në vitin 2022, ai kurrë nuk arriti të imponohet si titullar (edhe pse kishte zëvendësuar Çalhanollun në disa raste, veçanërisht kur turku u lëndua). Ish-lojtari i Empolit, i blerë për 14 milionë euro, ka qenë në treg për disa muaj.
Sezoni i kaluar ishte i vështirë: së pari në Torino, me 15 paraqitje gjithsej deri në janar, dhe më pas te Beshiktash, ku shënoi dy gola në 14 ndeshje gjatë gjashtë muajve të fundit. Asllani u rikthye në bazë duke qenë i ndërgjegjshëm se do të duhej të largohej nga Apiano Xhentile. Në miqësoren e parë të sezonit, Kivu e vendosi atë në qendër të mbrojtjes.
Kjo zgjidhje u diktua nga mungesat e ndryshme në atë pozicion për shkak të Kupës së Botës (dhe tregut të transferimeve). Është një tregues i qartë se ai ka qenë prej kohësh jashtë planeve për të ardhmen. Me fjalë të tjera, Asllani është “i tepërt”, po kërkon një sistemim të përshtatshëm (mundësisht të përhershëm). Çmimi është rreth 10-12 milionë euro.
Mund të jetë një transferim i ditëve të fundit të merkatos”, shpjegohet në artikullin e gazetës italiane.
