Gruaja denoncon bashkëshortin për dhunë në Gjakovë – Policia i gjen

0%

Një rast i dyshuar i dhunës në familje në Gjakovë ka çuar edhe në zbulimin e një arme pa leje, pasi një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj në Polici, duke deklaruar se ndihej e frikësuar për sigurinë e saj. Sinjali mëson se i dyshuari është D.Gj., rreth 45-vjeçar, ndërsa viktimë F. Gj., rreth 46-vjeçare.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, viktima ka deklaruar se bashkëshorti i saj dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj në vazhdimësi. Konkretisht, ajo ka raportuar se gjatë muajve mars dhe korrik të këtij viti ishte goditur me shuplaka nga bashkëshorti.

Kohëve të fundit, gruaja kishte filluar të ndiente frikë se situata mund të përshkallëzohej dhe për këtë arsye kishte vendosur ta denonconte rastin në Polici. Gjatë denoncimit, ajo ka bërë të ditur edhe se bashkëshorti posedonte një pistoletë pa leje.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas të dhënave të rastit, arma nuk ishte përdorur për ta kanosur viktimën dhe as nuk ishte ekspozuar ndaj saj gjatë incidenteve të raportuara. Pas marrjes së informatës, Policia ka intervenuar dhe gjatë veprimeve ka gjetur e sekuestruar një pistoletë TT M57, kalibër 7.62 mm, së bashku me fishekë të kalibrit 7.62×25 mm dhe një karikator.

Viktimës i është ofruar mundësia e strehimit, por ajo e ka refuzuar dhe është larguar për të qëndruar në shtëpinë e prindërve të saj. Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit D. Gj. është ndaluar për 48 orë. Rasti është iniciuar për “Dhunë në familje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com