Një ndalim për një kundërvajtje në komunikacion ka eskaluar në sulm ndaj zyrtarëve policorë mbrëmjen e së premtes në Skenderaj, ku një person dyshohet se ka kapur për fyti njërin polic dhe më pas ka vazhduar ta godasë. Sinjali mëson se i dyshuari është Kastriot Aliu, rreth 36-vjeçar, ndërsa viktima të rastit janë dy zyrtarë të Policisë së Kosovës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës , në rrugën “18 Qershori” në Skenderaj. Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, njësia patrulluese kishte ndaluar automjetin që drejtohej nga Aliu për shkak të një kundërvajtjeje në trafik, konkretisht për nisje të vrullshme. Por një kontroll i zakonshëm trafiku dyshohet se ka eskaluar shpejt.
I dyshuari nuk u është bindur urdhrave të policëve dhe fillimisht dyshohet se i ka fyer ata. Situata më pas ka dalë jashtë kontrollit, kur Aliu dyshohet se e ka kapur me të dyja duart për fyti njërin nga zyrtarët policorë dhe ka tentuar ta tërheqë brenda veturës. Sipas burimeve, i dyshuari më pas ka dalë nga automjeti dhe ka vazhduar sulmin ndaj policëve.
Për ta vënë situatën nën kontroll, zyrtarët kanë përdorur sprejin zyrtar, por as kjo nuk dyshohet se e ka ndalur atë. Ai dyshohet se ka vazhduar rezistencën, duke goditur njërin polic në kraharor, ndërsa për arrestimin e tij është kërkuar asistenca e një njësie tjetër patrulluese. Zyrtari policor i lënduar ka marrë trajtim mjekësor në QKMF në Skenderaj.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit është iniciuar procedurë për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa Kastriot Aliu është ndaluar për 48 orë. Rasti po hetohet nga njësitë kompetente të Policisë. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
