Kapiteni i Arsimit, Argjend Gafuri, pret që skuadra e tij të paraqitet më mirë në udhëtim ndaj Bregallnicës, në kuadër të javës së dytë të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut. Pas startit jo të suksesshëm të sezonit, ai beson se skuadra i ka tejkaluar dobësitë dhe është e gatshme për sfidën e re.
“Nuk e nisëm kampionatin ashtu siç dëshironim dhe jemi të vetëdijshëm se rezultati i xhiros së parë nuk ishte në përputhje me pritshmëritë tona dhe të tifozëve. Gjatë dy javëve të fundit kemi punuar shumë, i kemi analizuar gabimet dhe besoj se kemi përparuar në disa aspekte, në lojë, në organizim, si dhe në vetëbesimin e skuadrës”, deklaroi Gafuri.
Duke folur për ndeshjen e ardhshme në Shtip, kapiteni theksoi se Arsimi e respekton cilësinë e Bregallnicës, por beson se skuadra e tij mund të arrijë rezultat pozitiv. “Jemi të vetëdijshëm se na pret një ndeshje e vështirë kundër Bregallnicës. E njohim cilësinë e kundërshtarit, por besojmë në mundësitë tona dhe në punën që kemi bërë në stërvitje.
Në Shtip udhëtojmë me një qëllim të qartë: të marrim rezultat pozitiv”, theksoi kapiteni i Arsimit. Në fund, Gafuri u dërgoi një mesazh tifozëve, duke kërkuar mbështetjen e tyre gjatë gjithë sezonit. “I ftoj tifozët tanë që të vazhdojnë të jenë me ne. Kampionati është i gjatë dhe jam i bindur se me punë të palodhur dhe përkushtim do t’i realizojmë objektivat tona.
Do të japim maksimumin në çdo ndeshje për t’i gëzuar të gjithë ata që e duan klubin.” Ndeshja Bregallnica – Arsimi do të zhvillohet sonte, duke filluar nga ora , në stadiumin e qytetit në Shtip.
