Vijojnë kërkimet për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së 20-vjeçarit Joan Zuko në Korçë. Forcat RENEA kanë nisur kontrollet në varrezat e qytetit, pasi dyshohet se Kristjan Sterjo mund të jetë fshehur në këtë zonë. Sipas dëshmitarëve, menjëherë pas kryerjes së krimit, autori i dyshuar është larguar nga vendngjarja dhe është drejtuar në drejtim të varrezave të qytetit.
Për këtë arsye, Policia ka përqendruar kërkimet në këtë zonë, ndërsa forcat RENEA po kryejnë kontrolle të imtësishme për lokalizimin e tij. Më herët, forcat e Policisë dhe RENEA kanë shkuar pranë banesës së autorit të dyshuar, Kristjan Sterjo, me qëllim kapjen e tij, por nuk kanë mundur ta gjejnë aty.
Sterjo është identifikuar nga Policia si autori i dyshuar i vrasjes së 20-vjeçarit Joan Zuko, i cili u qëllua me kallashnikov. Viktima ka marrë një plumb në pjesën e poshtme të shpatullës, i cili ka përshkuar trupin dhe ka dalë në anën tjetër. Sipas të dhënave paraprake, kjo ka qenë e vetmja plagë e shkaktuar nga arma e zjarrit.
Autori e ka qëlluar nga pas viktimën, teksa 20-vjeçari ngjiste shkallët, në kat të tretë të pallatit. Në dorën e tij, pas ngjarjes, është gjetur edhe një thikë.
