Detaje të reja janë bërë të ditura për tragjedinë e rëndë që goditi familjen Aliu nga Komogllava e Ferizajt, pasi tre anëtarë të saj humbën jetën në një vetaksident në Gjermani. Familjarët kanë konfirmuar se viktimat janë Tahir Aliu, 61 vjeç, djali i tij Gentian Aliu, 34 vjeç, si dhe Laurent Aliu, vetëm 16 vjeç.
Tre anëtarët e familjes Aliu po udhëtonin nga Kosova drejt Gjermanisë, kur rrugëtimi i tyre përfundoi tragjikisht në autostradën A3, pranë Nittendorfit, në rrethin e Regensburgut. Sipas familjarëve, ata ishin nisur nga Kosova të mërkurën, ndërsa aksidenti ndodhi në orët e mëngjesit të së enjtes.
Në veturë ndodheshin vetëm tre viktimat dhe, sipas të dhënave të deritanishme, bëhet fjalë për një vetaksident. Mediat gjermane kanë dhënë ndërkohë hollësi të tjera për mënyrën se si ndodhi ngjarja. Sipas mediumit publik gjerman BR24, automjeti po lëvizte në autostradën A3 në drejtim të Nurembergut kur, për arsye ende të pasqaruara, doli nga rruga.
Vetura rrëshqiti poshtë një argjinature, ra në zonën e binarëve hekurudhorë që kalojnë nën autostradë dhe përfundoi në hapësirën e gjelbër pranë tyre. Të tre personat që ndodheshin në automjet pësuan lëndime të rënda dhe nuk arritën të mbijetonin. Operacioni për nxjerrjen e viktimave ishte i vështirë.
Sipas BR24, tre burrat fillimisht nuk mund të nxirreshin nga automjeti, ndërsa për largimin e veturës nga vendi i aksidentit është përdorur një vinç. Aksidenti shkaktoi pasoja edhe në komunikacionin hekurudhor. Nga përplasja u dëmtua linja ajrore e energjisë elektrike e hekurudhës, duke bërë që një tren me rreth 80 udhëtarë të mbetej pa energji.
Pasagjerët u evakuuan dhe u transferuan në një tren tjetër, ndërsa treni i bllokuar u tërhoq më pas me një lokomotivë me naftë. Për disa orë u mbyllën si autostrada A3 në drejtim të Nurembergut, ashtu edhe linja hekurudhore Regensburg–Nuremberg. Policia gjermane ka bërë të ditur se ende nuk dihet se përse automjeti doli nga rruga.
Sipas hetimeve të deritanishme, dyshohet se vetura ishte e vetmja e përfshirë në aksident. Në momentin kur automjeti ra në zonën e binarëve nuk po kalonte asnjë tren. Me urdhër të Prokurorisë së Regensburgut është angazhuar edhe një ekspert i aksidenteve, i cili do të ndihmojë në përcaktimin e rrethanave dhe shkakut të tragjedisë.
Komogllava në zi Ndërkohë, dhimbja është e madhe në Komogllavë të Ferizajt, prej nga ishte familja Aliu. Lagjja Nuhaj është mbuluar nga zija pas humbjes së tre anëtarëve të së njëjtës familje, ndërsa bashkëfshatarë dhe të afërm kanë shprehur ngushëllime për familjen. “Lagjja jonë Nuhaj është mbuluar nga dhimbja.
Humbja tragjike e tre anëtarëve të një familjeje në një aksident ka lënë zemrat tona të thyera. Nuk ka fjalë që e lehtësojnë këtë dhimbje”, thuhet në postimin e një bashkëfshatari të viktimave. Në mesazh shprehen ngushëllime për familjen e të ndjerëve dhe lutje që familjarët të gjejnë forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë. “Do t’i kujtojmë gjithmonë me respekt dhe mall.
U prehshin në paqe”, thuhet më tej. Tragjedia ka prekur jo vetëm familjen Aliu, por edhe bashkëvendësit e tyre në Komogllavë dhe mërgatën, ndërsa hetimet në Gjermani po vazhdojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit.
