Federata Meksikane e Futbollit ka riafirmuar përmes një deklarate zyrtare mbështetjen për presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino: “FFM beson se futbolli përfaqëson një vlerë themelore dhe mbrojtja më e mirë e tij qëndron në respektimin e institucioneve, qeverisjes dhe procedurave që garantojnë integritetin e tij.
Ne nuk do të njohim apo miratojmë asnjë proces jashtë kuadrit institucional, do të mbështesim Infantinon për të vazhduar zhvillimin e futbollit përmes forcimit të institucioneve”. Edhe Federata Argjentinase e Futbollit doli në mbështetje të kreut të FIFA-s.
Në një letër të hapur drejtuar Infantinos, AFA vlerësoi drejtimin e tij gjatë 10 viteve të fundit: “Mbështesim menaxhimin që ka pasur si shtylla zhvillimin e futbollit në mbarë botën dhe një model qeverisjeje të qartë, të qëndrueshëm dhe transparent”.
Federata argjentinase përmendi gjithashtu tërheqjen e projektit të kontestuar, duke vlerësuar pranimin e gabimeve dhe kërkim-faljen e FIFA-s ndaj 211 federatave anëtare.
