Festivali tradicional i perime-kulturës, “Chillifestë 2026”, nis sot (7 gusht) në Krushë të Madhe të Rahovecit, duke sjellë për të 12-in vit me radhë tri ditë të mbushura me aktivitete kulturore, argëtuese dhe promovuese të bujqësisë.
Hapja e festivalit do të bëhet me një vizitë në fermën “Korr e Ha” dhe me organizimin e “Karnavalit të Perimeve”, ndërsa aktivitetet do të vazhdojnë përgjatë datave 7, 8 dhe 9 gusht.
Sipas organizatorëve, edicioni i sivjetmë do të ketë në fokus promovimin e prodhimtarisë vendore dhe kulturave bujqësore përmes aktiviteteve tradicionale, autoktone dhe unike, si dhe garave të ndryshme kushtuar perimeve dhe produkteve bujqësore. Përveç aktiviteteve gjatë ditës, festivali do të ofrojë edhe program muzikor në mbrëmje.
Në skenën e “Chillifestës” do të performojnë artistë të njohur të estradës shqiptare, përfshirë TNT, Fisnikët, Ramadan Krasniqi – Dani, ILO, Bono, Mossi, Rina Balaj dhe emra të tjerë.
Organizatorët kanë bërë të ditur se gjatë festivalit do të ndahen edhe dhurata e shpërblime për vizitorët dhe fituesit e garave, ndërsa kanë ftuar qytetarët që t’i bashkohen edicionit të sivjetmë nën sloganin: “Ditë e Gzueme”. Festivali “Chillifestë” konsiderohet një nga ngjarjet më të njohura që promovon bujqësinë, kulturën dhe turizmin lokal në Krushë të Madhe.
