Nga rrugët e Prizrenit të viteve ’80, ku shkruante parullat “Kosova Republikë”, deri te organizimi i vullnetarëve shqiptarë në Belgjikë, misionet e armatimit në Koshare dhe përballja me atentate gjatë luftës, Fehim Cela sjell një rrëfim të gjatë dhe të pazakontë për jetën e tij.
Në këtë intervistë për “Bota sot”, ai flet për demonstratat e vitit 1981, mërgimin, organizimin e brigadës së vullnetarëve në Bruksel, formimin e njësitit “Shqiponjat e Zeza”, bashkëpunimet me figura të njohura të luftës, arrestimin në Belgjikë pas kërkesës së autoriteteve serbe dhe zhgënjimin e thellë me zhvillimet pas çlirimit të Kosovës.
Me tone emocionale, por edhe polemike, Cela rrëfen episode që thotë se nuk i ka bërë publike më parë dhe jep mesazhin e tij për brezat e rinj, diasporën dhe të ardhmen e Kosovës. Intervista e plotë: “Bota sot”: Kush është Fehim Cela? Si do ta përshkruanit rrugëtimin tuaj jetësor dhe angazhimin kombëtar ndër vite?
Fehim Cela : Quhem Fehim Cela, jam i lindur në vitin 1965 në qytetin e Prizrenit, qytet antik, historik dhe patriotik, i lidhur ngushtë me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Rrugëtimi im jetësor ka qenë i lidhur me çështjen kombëtare dhe me përpjekjen për lirinë e popullit shqiptar.
Që në fëmijëri jam rritur me ndjenjën e dashurisë për atdheun dhe me bindjen se Kosova ishte padrejtësisht e pushtuar. “Bota sot”: Si nisi përfshirja juaj në çështjen kombëtare dhe cilat kanë qenë rrethanat që ju shtynë të angazhoheni aktivisht? Fehim Cela : Angazhimi im kombëtar filloi në moshën 16-vjeçare.
Në vitin 1981, kur shpërthyen demonstratat studentore në Kosovë, mora pjesë duke shkruar parulla “Kosova Republikë” në vende të ndryshme. Kur pashë vrasjet, arrestimet, dhunën, maltretimet dhe padrejtësitë që ushtroheshin ndaj shqiptarëve, ndjeva se duhej të bëhesha më i fortë dhe më i guximshëm për t’i dalë në ndihmë popullit tim.
Më vonë shërbimet sekrete serbe filluan të më ndiqnin dhe u detyrova të largohem fillimisht në Kroaci, më pas në Gjermani dhe në fund në Belgjikë. Ishte kohë mbijetese dhe rregullimi dokumentesh, por zemra ime mbeti gjithmonë në Kosovë. “Bota sot”: Si ishte jeta juaj në mërgim dhe si vazhdoi angazhimi kombëtar? Fehim Cela: Në Kroaci, Gjermani dhe Belgjikë jeta nuk ishte e lehtë.
Ishte kohë pasigurie, mbijetese dhe përpjekjesh për të siguruar dokumente qëndrimi. Megjithatë, mendja ime ishte gjithmonë te Kosova. Vuajtjet e popullit tim i ndjeja sikur ndodhnin brenda zemrës sime. Në fillim të viteve ’90 fillova të hyj në kontakte me shqiptarë të ndryshëm në Belgjikë.
Pas shpërthimit të luftës në Slloveni kuptova se radha do t’i vinte Kosovës dhe kërkova që shqiptarët të organizoheshin. “Bota sot”: Si lindi ideja për organizimin e vullnetarëve shqiptarë në Belgjikë? Fehim Cela: Më kujtohet një takim në shtëpinë e Sadik Krosës në Bruksel. Aty, me pëlqimin e 274 vullnetarëve, vendosëm të formonim një brigadë për mbrojtjen e Kosovës.
Synimi ishte që rinia shqiptare të mos humbiste, por të përgatitej fizikisht dhe ushtarakisht për t’i shërbyer atdheut. Nuk ishte aspak e lehtë të organizoje një brigadë në zemër të Evropës. Shërbimet serbe ishin shumë aktive, por vendosmëria jonë ishte më e fortë. Më pas udhëtuam në Zvicër, në Saint Gallen, ku u organizua një tubim me rreth 2500 shqiptarë.
Aty mbajta një fjalim i veshur me uniformë ushtarake dhe u formua një koordinim prej 11 anëtarësh. Fatkeqësisht sot nuk kam asnjë fotografi apo incizim nga ai tubim dhe u bëj thirrje bashkatdhetarëve që i posedojnë t’i ndajnë. “Bota sot”: Ju keni qenë pjesë e FARK-ut që funksiononte në Shqipëri. Si e kujtoni atë periudhë dhe cili ka qenë roli juaj konkret?
Fehim Cela: Dua ta sqaroj qartë se nuk kam qenë pjesë e FARK-ut, LPK-së apo ndonjë organizate tjetër politike. Kam qenë apolitik dhe kam vepruar në mënyrë të pavarur që nga vitet 1991–1992 e deri sot. Pas masakrës së familjes Jashari më ndodhesha në Kukës dhe aty fillova organizimin e njësitit “Shqiponjat e Zeza”.
“Bota sot”: Çfarë mund të na tregoni për bashkëpunimet dhe raportet me figura të ndryshme të kohës? Fehim Cela: Kam pasur bashkëpunim vëllazëror me të gjithë ata që punonin për çlirimin e Kosovës.
Në Tiranë kam biseduar me Iliaz Ramajlin, Zekerija Canën, Agim Ramadanin, Rrustem Berishën, Fuad Ramiqin, Neriman Brahën, Gani Krasniqin, Istref Klinakun, Sejdi Veselin, Gjeladin Jashiqin, Asllan Llollën, Xhafer Gashin, Ibrahim Kelmendin, Adem Grabovcin dhe shumë të tjerë. “Bota sot”: Sa e vështirë ishte organizimi në Shqipërinë e viteve 1997–1998?
Fehim Cela: Shqipëria ishte në kaos total. Banda të armatosura, korrupsion, varfëri dhe pasiguri kudo. Për të bërë rrugën Kukës–Tiranë duheshin rreth gjashtë orë dhe shpesh duhej mbrojtje nga bandat. Një rast që nuk e harroj kurrë lidhet me vullnetarin Agim Miftari nga rrethi i Gjakovës.
E sollën në spital në gjendje kome pasi ishte rrahur brutalisht nga banda në zonën e Pobrregut, të cilat e kishin ngatërruar me një person tjetër që pritej të sillte para për armatim. Me ndihmën e Iliaz Ramajlit arritëm të siguronim një helikopter për transportimin e tij urgjent në Tiranë. Më vonë kontaktova edhe familjen e tij në Zvicër.
Ky episod tregon se sa e rrezikshme ishte jo vetëm lufta me armikun serb, por edhe situata në Shqipëri. “Bota sot”: Si u formua njësiti “Shqiponjat e Zeza” dhe cili ishte misioni i tij? Fehim Cela: Në prill të vitit 1998 u vendosëm në Papaj të Tropojës. Aty ishim 28 veta në kushte shumë të vështira, pa dritare e pa higjienë. Ushtrimet bëheshin kryesisht natën në zonën e Koshares.
Shumica e vullnetarëve nuk kishin përvojë ushtarake, por kishin dëshirë të madhe për të luftuar. Komandanti Fuad Ramiqi më ngarkoi me një mision shumë të rrezikshëm: transportimin e minavehedhësve 82 mm me 28 kuaj drejt Jasiqit afër Junikut. Udhëtimi zgjati rreth pesë orë në terren të vështirë malor. Në Jasiq na pritën Agim Ramadani dhe Rrustem Berisha.
Agimi më tha se ky armatim do të përdorej kundër bazës serbe te Podi i Gështenjave dhe se duhej hapur një korridor furnizimi për Kosovën. Gjatë kthimit u përballëm me rrezikun e një helikopteri serb që fluturonte mbi ne, ndërsa shoqëronim edhe civilë – gra, fëmijë dhe pleq – drejt Shqipërisë. “Bota sot”: Gjatë luftës keni pasur edhe probleme serioze shëndetësore. Çfarë ndodhi?
Fehim Cela : Pas kthimit në Papaj ndjeva dhimbje të forta dhe u dërgova urgjentisht në Tiranë. Mjekët konstatuan gurë në tëmth dhe më operuan në kushte shumë të vështira. Një mik imi pagoi mbi 1000 dollarë që operacioni të kryhej menjëherë. Gjatë shërimit në Durrës më vizituan shumë luftëtarë e patriotë.
Gani Krasniqi më propozoi të shkoja në Llapushnik sapo të shërohesha, ndërsa Nexhmedin Kastrati foli për organizimin e zonës së Pashtrikut. “Bota sot”: A ka pasur momente kur jeta juaj ka qenë në rrezik? Fehim Cela: Po. Një nga episodet më të rënda ndodhi në Durrës. Teksa po pija kafe, disa persona të armatosur më rrethuan dhe më thanë se kishin urdhër të më merrnin me vete.
Kur i pyeta kush ua kishte dhënë urdhrin, njëri prej tyre tha me ironi: “Ibrahim Rugova”. E kuptova se situata ishte serioze. Në momentin e parë që munda, godita njërin prej tyre dhe humba ndjenjat. Kur u zgjova pashë njerëz që më kishin ardhur në ndihmë, mes tyre deputetin Pëllumb Berisha me armë në dorë.
Sipas asaj që mësova më vonë, personat ishin të lidhur me struktura të caktuara të kohës. Nuk i kam paditur kurrë, sepse atëherë mendova se hakmarrja do të sillte gjakderdhje të re. “Bota sot”: Çfarë ndodhi me ju në Belgjikë gjatë luftës? Fehim Cela: Kur u ktheva në Belgjikë për t’u shëruar dhe për të takuar familjen, u arrestova sapo u paraqita në zyrën e të huajve.
Më thanë se arrestimi kishte ardhur pas kërkesës së ambasadës serbe, e cila pretendonte se Belgjika po strehonte një “terrorist kosovar”. Qëndrova rreth dy muaj e gjysmë në burgun e deportimit pranë aeroportit të Brukselit. Gjatë asaj kohe u intervistova nga televizione belge dhe, falë avokatëve dhe mbështetjes së politikanëve belgë miq të shqiptarëve, u lirova.
Çlirimin e Kosovës e përjetova brenda burgut duke ndjekur bombardimet e NATO-s. “Bota sot”: A mendoni se idealet e luftës janë devijuar pas saj? Fehim Cela: Po, mendoj se janë devijuar. Lufta kishte idealin e lirisë dhe të bashkimit kombëtar. Ne mendonim për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe më pas për çështjen shqiptare në Maqedoni, Preshevë, Medvegjë, Bujanoc dhe Mal të Zi.
Edhe në vitin 1998 kam qenë në Maqedoni për të parë mundësitë e organizimit në rast të zgjerimit të luftës. Pas luftës, sipas bindjes sime, pushteti ra në duar të njerëzve që e larguan vendin nga ai ideal. “Bota sot”: Pse dolët publikisht kundër Hashim Thaçit? Fehim Cela: Sepse nuk mund të heshtja ndaj korrupsionit, tradhtisë, grabitjes së shtetit dhe padrejtësive.
Kam organizuar protesta në Bruksel para Parlamentit Evropian dhe kam marrë pjesë edhe në protestën “Ik Hashim” në Prishtinë më . “Bota sot”: Si e shihni trajtimin e ish-luftëtarëve sot? Fehim Cela: Jam shumë i zhgënjyer. Shumë luftëtarë të ndershëm jetojnë pa përkrahje, pa ekonomi dhe pa strehim, ndërsa njerëz të lidhur me pushtetin kanë përfituar.
Luftëtarët e vërtetë nuk sakrifikuan për pasuri, por për liri. “Bota sot”: Sa e rëndësishme ka qenë diaspora shqiptare? Fehim Cela: Diaspora ka qenë vendimtare. Shumë shqiptarë lanë luksin, punën, familjen dhe fëmijët për t’iu bashkuar luftës ose për ta ndihmuar financiarisht. Pa diasporën, Kosova nuk do të ishte aty ku është sot.
“Bota sot”: A mendoni se e vërteta për luftën dhe pasluftën ende mbahet e mbyllur? Fehim Cela: Po. Besoj se shumë të vërteta ende nuk janë thënë. Historia duhet të tregojë qartë kush ishin luftëtarët e vërtetë dhe kush përfitoi nga lufta. Sipas mendimit tim, ka ende interesa politike që nuk duan zbardhjen e plotë të shumë ngjarjeve.
“Bota sot”: Çfarë mesazhi do t’u jepnit sot qytetarëve të Kosovës? Fehim Cela : Të luftojnë korrupsionin, padrejtësinë dhe tradhtinë; të jenë të bashkuar dhe të votojnë me përgjegjësi. Duhet të forcojmë ushtrinë, policinë, drejtësinë dhe ekonominë, të ndalim largimin e të rinjve dhe t’i mësojmë brezat e rinj ta duan atdheun.
“Bota sot”: Pas gjithë këtij rrugëtimi, çfarë ju ka mbajtur të fortë dhe çfarë ju dhemb ende sot? Fehim Cela: Më ka mbajtur të fortë besimi në Zot dhe dashuria për atdheun. Po të kishte përsëri luftë për mbrojtjen e vendit, do të rreshtohesha i pari.
Ajo që më dhemb më shumë është të shoh Kosovën të përballet me korrupsion, përçarje, emigrim të të rinjve dhe humbje të idealeve për të cilat u sakrifikuan kaq shumë njerëz.
