Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu , i ka bërë ftesë publike Lëvizjes Vetëvendosje për vazhdimin e seancës konstituive gjatë ditës së sotme.
Lushaku-Sadriu, në një prononcim para mediave nga oborri i Kuvendit, tha se deputetët kanë obligim që ta konstituojnë legjislaturën e 11-të dhe t’i funksionalizojnë institucionet e vendit brenda afateve kushtetuese.
“Dola këtu për t’i bërë një ftesë publike subjektit më të madh të Kuvendit të Kosovës për ta thirrur seancën ose vazhdimin e seancës konstituive me qëllim që Kuvendi i Kosovës të konstituohet sonte, brenda afateve kushtetuese.
Vërtetë është për keqardhje që sillet institucioni më i lartë legjislativ në vend në një pozitë të tillë ku sfidohet edhe kushtetutshmëria edhe funksionaliteti, pamundësohet puna e deputetëve për çka kemi marrë legjitimitet për të përfaqësuar qytetarët në institucionin më të lartë të Republikës. Prandaj, është e papranueshme që konstituimi i Kuvendit të Kosovës të mos ndodhë sonte.
Ne si deputetë të LDK-së jemi këtu dhe po presim ftesën që kurdo që thirret seanca të bëjmë konstituimin e Kuvendit dhe të fillojmë funksionalitetin e institucioneve. Pavarësisht marrëveshjeve politike, është obligimi ynë që t’i japim Kosovës institucione”, tha Lushaku-Sadriu. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
