Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë “sasi masive” municionesh në dispozicion, duke mohuar raportimet se rezervat ushtarake amerikane janë reduktuar ndjeshëm gjatë konfliktit me Iranin.
Në një reagim në rrjetet sociale, Trump tha se SHBA-ja ka më shumë municione sesa i nevojiten dhe se kompani të mbrojtjes po rrisin prodhimin për të plotësuar kërkesat ushtarake. “Ne kemi sasi masive të municioneve në dispozicion. Gjithashtu, sasi të mëdha po prodhohen dhe po dërgohen në SHBA sipas nevojës”, ka shkruar Trump.
Deklarata e tij vjen pas raportimeve se rezervat amerikane të raketave të mbrojtjes ajrore janë ulur gjatë përballjes së fundit me Iranin. Sipas disa zyrtarëve amerikanë, rezervat e raketave Patriot janë reduktuar ndjeshëm, ndërsa ato THAAD kanë pësuar gjithashtu rënie.
Ndërkohë, Trump ka thënë se bisedimet me Iranin “po ecin mjaft mirë”, ndërsa palët kanë vazhduar përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje që do t’i japë fund konfliktit. Tensionet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit vazhdojnë, ndërsa ngushtica strategjike e Hormuzit mbetet një nga pikat kryesore të përplasjes. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!