Të diskutosh me profesor doktor Anton Nikë Berishën, qoftë edhe përmes telefonit, ke fatin që në pak çaste, të mësosh prej tij atë që ndoshta nuk do të mund ta kishe mësuar as përmes cikleve të gjata të leksioneve universitare, e kjo jo thjesht e vetëm për letërsinë, por edhe për jetën në tërësi, për besimin, për rolin që ka dija në jetën shoqërore e ata faktorë që e dëmtojnë atë, ose e pamundësojnë që produktin e saj ta përfitojë e gjithë shoqëria.
Ndoshta me një anekdotë, gjithnjë të gjetur, me një citim ilustrues të goditur nga mendimtarët e mëdhenj të të gjitha kohërave, sidomos në letërsi, me një urtësi popullore, ku e drejton të rrjedhë biseda e ligjërimi, ai ta lehtëson të kuptuarit e atyre gjërave që të janë paraqitur shpesh si domene të të mëdhenjëve e ku nuk ke guxuar kurrë të futesh apo, për më tepër, të vesh një pikëpyetje.
Kam patur fatin e madh që ai të më ketë këshilluar, korrektuar e redaktuar për disa nga punimet e mija në fushën e letërsisë, sidomos kohëve të fundit, ashtu si edhe të ndjek nga afër disa nga ligjeratat apo punimet e tij të veçanta për vepra të ndryshme letrare, e kjo jo në saje të aftësive të mija për t’u “ngjitur” në majat ku ai qëndron me meritën e punës e të kontributeve të tij në fushën e krijimtarisë e të mendimit për rreth gjashtë dekada, por nga aftësia e tij e jashtëzakonshme për ta bërë bashkëbisedimin të thjeshtë, për të të trajtuar si të barabartë, gjithnjë pa ulë vlerat e njohurive të tij drejt teje, por edhe pa injoruar njohuritë tuaja, sado modeste qofshin ato.
Vetëm kur vjen fjala për ato që përbëjnë “shinat”, apo kolonat mbi të cilat ndërtohet e ngrihet letërsia e vërtetë, profesor Antoni nuk ka kompromis. “Kjo e rrenon të tërën”, të thotë ai pa asnjë hezitim, kur vjen fjala për disa gjëra me rëndësi fundamentale.
Të tilla janë gjuha e pastër shqipe e përdorimi korrekt i saj në letërsi, duke anashkaluar në çdo rast të mundshëm përdorimin e fjalëve të huaja të shqipëruara, nëse ka alternativë në shqip të tyre, fjala artistike, apo gjuha poetike, siç i pëlqen ta referojë atë profesori, fakti letrar e fakti historik në letërsi, e të tjera teza themelore.
Diskutimi mbi raportin formë – përmbajtje në letërsi është i lashtë, besoj unë, sa vetë letërsia, por edhe pjesë e qenësishme e bisedimeve të mija me profesor Antonin, sa herë bie fjala në këtë fushë, apo më mirë të them sa herë takohemi, pasi në të gjitha rastet, pas interesimeve të çastit për shëndetin e familjen, gjuha e bisedës me të rrjedh natyrshëm tek letërsia.
S’ka si të jetë ndryshe. Nga 80 vite jetë, tre të katërtat i ka kontribute të pashoqe në këtë fushë, qoftë si krijues, si studjues, si kritik e përkthyes, si mbledhës i folklorit apo krijimtarisë gojore, sidomos ndër arbëreshët e Italisë, apo si profesor e ligjërues në disa universitete brenda dhe jashtë vendit.
Për dikë, apo për disa, parë si letërsi, parësore nuk është çfarë thua, por si e thua. Edhe një “shëmti” në jetën reale, e rralizuar bukur në një nga format e artit, mund të jetë kryevepër. Profesor Anton Nikë Berisha, studjuesi e kritiku i lartë i letërsisë bashkëkohore, përdor për këtë raport dhe i ka shtjelluar gjatë në studimet e veta, shprehjet qenësi dhe poetikë.
Në një nga komunikimet tona të rregullta, e pyeta në distancë profesorin për këta dy terma, se ç’përfaqësojnë ata në letërsi, sipas tij? Jo se nuk kisha lexuar prej tij në shtjellimet e shumta letrare që ka, apo nuk e kisha kuptuar disi këtë nga komunikimet që kemi patur, por e doja ashtu, me të shkruar e shkurt, nga dora e tij.
Dhe ai m’u përgjigj shkurt: “E para është thelbi, palca, ajo që është kryesore. E dyta: të shprehurit e bukur, sa më të bukur. Me këtë matet vepra letrare.” Qenësia është realiteti artistik i veprës letrare.
Për profesorin nuk është e domosdoshme që ky realitet artistik të jetë edhe një realitet jetësorë, apo historik, por ai mund dhe duhet të jetë një realitet tërësisht artistik, me qëllim që të funksionojë dhe të ketë ndikimin e vet estetik. Për sa sipër, veç të tjerash, ai i referohet edhe Hanry James, që thoshte: “Arti e krijon jetën, e krijon interesin, e krijon rëndësinë…”.
Të pohosh sa më lart, sidomos për brezin tonë, ende nën ndikimin e fortë të rrymës realiste në letërsi, duket si diçka jo e vërtetë, bile e pa vlerësueshme, por për letërsinë kjo është themelore. Jo se fakti historik nuk ka vend në letërsinë moderne, por se ai, si i tillë, i përket historisë e letërsisë dokumentare, jo asaj artistike.
Ky realitet i krijuar, që të konsiderohet se vepra letrare e përmbush misionin e saj, duhet të ushtrojë ndikim e vet estetik tek lexuesi, pasi, “…mua nuk më është i njohur ndonjë zëvendësim i forcës së artit dhe i bukurisë së trajtimit të tij.” (Hanry James).
E që arti të mbërrije tek kjo forcë ndikuese, krahas qenësisë, përmbajtjes, apo faktit artistik, dhe në të njëjtin rrafsh me të, profesor Antoni vendos atë që ai, me shumë të drejtë, e quan poetikë, poetika e veprës letrare. Poetika, apo fjala artistike, është ai mjeti i posaçëm përmes të cilit vepra artistike ngjall reagimin e lexuesit, duke pasqyruar kështu ndikimin e saj estetik.
Nëse do ta rrenosh një vepër letrare, të thotë profesori pa hezitim, merru me fakte e statistika! Ato kanë vlera të padiskutueshme si të tilla për shoqërinë, por jo për letërsinë.
Ato kanë vlera të njëmendëta për formimin e autorit e rritjen brenda tij të realitetit artistik, por jo për veprën letrare, ta ngulit me kujdes në mendje profesori, sa herë që bie fjala nëpër ato shtigje, për mua të reja e për atë “autostrada të gjëra e të pajisura me sinjalistikën e nevojshme” për të mos gabuar.
Krahas faktit artistik, arti i fjalës apo poetika, si e ka për zemër ta thotë ai, është komponenti tjetër njëlloj i rëndësishëm i një vepre letrare, që ajo edhe t’i qëndroje kohës, edhe të kryej misionin e saj – ndikimin estetik tek lexuesi.
Kaq e dukshme është forca e poetikës, apo artit të të shprehurit, sa edhe një vepër madhore që i ka këto dy anë në raporte të qëndrueshme, arrinë të mbahet mend, pothuajse përmendësh, me një të lexuar, ndërkohë që pak fjalë të ardhura tek ti si statistikë apo fakt historik, duhet me i përsërit disa herë e me gjetë forma alternative që të mbeten në kujtesë.
Sjell këtu veprën e të madhit Gjergj Fishta, Lahuta Malcis, si shembullin e gjallë që e vërteton këtë. Ajo është mbajtur përmendësh edhe nga njerëz që ndoshta kurrë s’kanë ditur as shkrim e këndim, mbahet edhe sot njëjtë nga njerëz që mbase asnjë nga faktet historike mbi të cilat ngrihet ajo vepër nuk i dinë, e kjo vetëm në saje të forcës së padiskutueshme që ka fjala e saj artistike, apo arti i fjalës, poetika e veprës letrare.
Nga ana tjetër, problemi i shtruar më lart, qenësia e poetika dhe raporti mes tyre në një vepër letrare, gjenë pasqyrim edhe në një tjetër aspekt: është fjala për raportin mes titullit të veprës dhe brendisë së saj.
Edhe këtu ai, jo vetëm ka mendimin e tij thellësisht të formuar e formues, por këmbëngul fort e me arësye kokëfortë, sa herë një vepër i duhet të kalojë nëpër duart e tij për të dhënë një mendim a sugjerim paraprak.
Më foli një ditë gjatë për një nga veprat e tij, titulluar: “Martesa e gjarpërit me vajzën e mbretit” (Beqir Musliu, Prishtinë 2026), një roman për fëmijë të cilin e kam lexuar edhe unë me kandje, mbase duke rijetuar fëmijërinë e munguar të librit. Por profesori ishte i pakënaqur për të, dhe kjo jo për brendinë, por thjesht për titullin. “Jo bre, s’jam i knaqur.
Nuk di si më ka shpëtuar në çastet e fundit, pasi unë e kisha menduar ndryshe titullin…”, thotë ai, dhe vijon se do ta ndryshojë, sapo të jenë kushtet që ta ribotojë. Ngacmimit tim të mëtejshëm se ku qëndronte pakënaqësia me veten e profesorit, e mësova në pak fjalë. “Ja, më thotë ai, se po të shpjegohem.
Kështu si është shkruar “Martesa e gjarpërit me vajzën e mbretit”, titulli flet për një akt, apo për një ngjarje konkrete dhe s’ngjallë kuriozitet. Nuk shpreh as brendinë e as nuk e ka poetikën e duhur.
Nuk duhet kështu titulli i një libri, pasi duhet që edhe ai të ketë qenësinë dhe poetikën, njëlloj si vetë vepra letrare.” E ngacmoj më tej me kujdesin për të mësuar prej tij e jo për të bërë të diturin para tij, dhe ai me shumë urtësi e me zërin që i del më i butë se në fillimet e kësaj bisede, më thotë: “Krahasoji vetë këto dy forma.
Cila tingëllon më bukur?” dhe më dha, krahas variantit të sipërcituar, edhe varjantin e dytë, atë që ai e donte: “Gjarpëri martohet me të bijën e mbretit”. Ky i dyti flet për një fenomen, e tipizon atë, e jo për një akt martese mes një gjarpëri e vajzës së një mbreti, ndodhur diku e dikur.
Kisha mbetur pa fjalë, thjesht duke e dëgjuar atë, me ndonjë “po, po” të kujdesshme, thjesht që ai të kuptonte se bisedën po e ndiqja, për një copë herë të mirë, e teoritë e mëdha për forcën e artit të fjalës, m’u bënë më të thjeshta e më të kuptueshme më shumë se kurrë, nisur nga ky shembull që ai më solli natyrshëm dhe për veten.
Personalisht, kur nis të shkruaj diçka, të parin përzgjedh titullin. Natyrisht asgjë krejt rastësore nuk mund të jetë edhe në këtë rast, nisur nga arsyeja që një shkrim, çfarëdo qoftë ai, artikull gazete, tregim, novelë, poezi a roman, përpara se të shkruhet në letër, vizatohet në mendje.
Mirëpo ndodh që shtjellimi i mëtejm i subjektit e ndryshon rrjedhën udhës, jo pak herë, e kësisoj mund të ndryshojë edhe titulli, por përgjithësisht ai është dhe mbetet zgjedhja e parë.
Kur ia dërgova për redaktim librin “Shtjellë fatesh”, unë e kisha parashikuar atë në variantin “Fate jetimësh”, por profesori, krahas shumë gjërave të tjerave, më orientoi e këshilloi ta ndryshoja atë e të gjeja diçka më përfaqësues.
Sado që e “vrava mendjen” me ditë të tëra, asgjë nuk më pranonte truri im, veç atij titulli, derisa një ditë, ndoshta pas një jave a më shumë, pa shkuar ora 8 e mëngjesit, profesori më mori në telefon e më tha: “ Më në fund e gjeta!
S’kam fjetë mbrëmë derisa më erdhi ky titull për librin tënd.” I thashë se më vinte keq për stërmundimin që të paskam shkaktuar, por ai këmbënguli se nuk isha unë fajtor, por ekzigjenca e tij ishte ajo që e kishte lënë pa gjumë.
Pastaj më tha titullin e menduar prejt tij: “Vorbulla e fateve” apo “Shtjellë fatesh”, si të duken?” Mes tyre zgjodha të dytin, si më shprehëse e më të bukur, dhe i thashë profesorit “u krye”, e libri “e gëzoftë emrin” që i dha kumbari i tij, si një përmbyllje e bukur e asaj bisede, duke e shtuar edhe këtë në kontribuett e tij për librin tim.
Edhe lidhur me titullin e përzgjedhur në një vepër letrare vihet ré dhe merr rëndësi raporti në vetvete i titullit në aspektin qenësi – poetikë, po aq sa edhe raporti i tij me veprën në tërësi.
Në aspektin e parë, autori duhet të kërkojë e të gjejë drejtpeshimin e duhur mes asaj që shpreh e mënyrës si e shpreh titulli atë që kërkon autori, duke mbetur përmbajtësorë dhe tingëllues njëkohësisht, kurse në raportin me veprën në tërësi, ndërliqësia duhet të jetë gjithnjë solide. Tituj bombastikë, që nuk e gjejnë pasqyrimin e tyre në brendinë e shkrimit a veprës, nuk i vlejnë askujt.
Kjo formë është shumë e pranishme sot, sidomos në shtyp, ku asnjë lidhje nuk vërtetohet në mes të titullit e përmbajtjes, por nuk është gjë e huaj as në letërsinë artistike. Libra të tërë me poezi, për shembull, mbajnë tituj që nuk e kanë as si ide, asnjëra nga poezitë që përbëjnë brendinë e tij. Pse? Ështe koha e reklamës e as fusha të tilla nuk mund t’i shpëtojnë artit të tregtisë.
Pastaj kopertinat, për nga vizatimi dhe ngjyrat, janë të tilla që të marrin në qafë! Por janë jo vetëm pa asnjë lidhje me atë çfarë pasqyrohet në brendi, duke mbetur thjesht mozaiqe pa vlerë edhe si pamje. Profesor Antoni, edhe për këtë, ndonëse thotë që nuk i harton vetë ato, më sqaron se gjithnjë është kërkues e i rri punës mbi krye, edhe në këtë moshë.
Përsëri tek libri i sipërpërmendur, më thotë ai, pasi kisha kaluar disa varjante nëpër duar bashkë me specialistin e shtëpisë botuese dhe kishim zgjodhur atë me të cilin libri është botuar, u thashë realizuesve: Kjo është më e bukur, e megjithatë kjo kreshta si kurorë mbi kokë mua më ngjallë frikë…
Lidhur me këtë çeshtje në tërësinë e botimeve bashkëkohore, mendoj unë, ka ndikuar e ndikon edhe fakti se autorët e shumtë, duke mos patur mjete monetare në dispozicion, edhe për faktin se libri nuk shitet, detyrohen t’i bëjnë të gjitha vetë: edhe shkrimtarin, edhe redaktorin, edhe korrektorin, edhe faqosësin e realizuesin e kopertinës.
Kjo ngjet edhe me mua, në shumicën botimeve të derisotme! Më erdhi një ditë e më takoi një mik i kahershëm, profesionist i gjuhës e letërsisë shqipe, si gjithnjë ma dashamirësi. Kishte marr librin tim “Identitet – Pasuri gjuhësore mirditase” (EB “Marianistët”, Lezhë 2026) dhe, pas urimeve të zakonshme për të, më pyeti se kush ma kishte bërë kopertinën.
Përgjigja ime se e kisha bërë vetë atë, nuk di a ia lehtësoi a ia vështirësoi punën t’më thoshte atë që mendonte ai si vërejtje ndaj saj, por ajo u kuptua me pak fjalë: Duhen profesionistë, më tha, se gjithçka edhe në pasqyrimin në kopertinë ka rregullat e veta, të cilat duhet zbatuar, që nga lloji e madhësia e karaktereve, pozicioni i shkrimeve etj.
Prej këtu, rrjedha e bisedës me mikun tim kaloi, problem pas problemi, tek disa nga çështjet që ka sot letërsia shqipe e jo vetëm ajo: tek raporti i deformuar sasi – cilësi, raporti i deformuar formë – përmbajtje, apo qënësi – poetikë, si e ka për zemër ta shpreh i nderuari profesor Antoni.
Kontributet e profesor Anton Nikë Berishës në fushën e letërsisë janë të shumanshme e qenësore, e për fat edhe të realizuara në botime cilësore që të shfrytëzohen gjatë nga brezat e sotëm e të ardhshëm, veçanërisht nga pedagogët e mësimdhënësit, por edhe nga krijuesit e njerëzit e letrave në tërësi e për fat ai është mes nesh, dhe në tetëdhjetë vjetorin e tij të lindjes që e kremton më , ai është jo vetëm aktiv si njeri, por edhe në kulmin e krijimtarisë e të kontributeve vijuese letrare e studimore, ndaj urimi im për të është: Të paçim sa më gjatë profesor, shëndetplotë e mendjekristaltë si deri më sot, dhe kurrë mos shterroftë kontributi jot i vyer për letrat shqipe!
