Një komision i Senatit amerikan ka votuar për ta shpallur ish-këshilltarin kryesor mjekësor të Shtëpisë së Bardhë, Anthony Fauci, në përbuzje ndaj Kongresit, pasi ai refuzoi të dëshmonte dhe t’u përgjigjej pyetjeve të senatorëve lidhur me rolin e tij gjatë pandemisë së COVID-19.
Komisioni i Sigurisë Kombëtare dhe Çështjeve Qeveritare të Senatit miratoi masën me rezultatin 8 vota pro dhe 7 kundër, sipas linjave partiake. Republikanët mbështetën procedurën, ndërsa demokratët e kundërshtuan atë.
Vendimi erdhi pasi Fauci u paraqit para komisionit, por refuzoi t’u përgjigjej shumë pyetjeve duke iu referuar Amendamentit të Pestë të Kushtetutës së SHBA-së, i cili u jep qytetarëve të drejtën të mos japin dëshmi që mund t’i ekspozojë ndaj përgjegjësisë penale, shkruan reuters.
Fauci refuzon t’u përgjigjet pyetjeve në Senatin amerikan për COVID-19 Senatori republikan Rand Paul, një prej kritikëve më të zëshëm të Faucit, ka kërkuar prej kohësh përgjigje për çështje që lidhen me menaxhimin e pandemisë, financimin e kërkimeve shkencore dhe origjinën e koronavirusit.
Ai ka argumentuar se Fauci duhet të bashkëpunojë me hetimin dhe jo të përdorë të drejtën për të heshtur. Nga ana tjetër, Fauci dhe avokatët e tij kanë kundërshtuar procesin, duke thënë se përdorimi i Amendamentit të Pestë është një e drejtë kushtetuese dhe se hetimi ka prapavijë politike. Ata kanë mohuar se refuzimi për të dhënë përgjigje nënkupton pranimin e ndonjë përgjegjësie.
Pas votimit në komision, çështja pritet të kalojë për shqyrtime të mëtejshme. Një vendim përfundimtar për përbuzje ndaj Kongresit mund të çojë në dërgimin e rastit te Departamenti i Drejtësisë për vlerësim të hapave të mundshëm ligjorë.
Përplasja e re mes Faucit dhe senatorëve republikanë ka rikthyer në qendër të debatit publik në SHBA mënyrën e menaxhimit të pandemisë, vendimet e marra gjatë krizës së COVID-19 dhe rolin e institucioneve shëndetësore amerikane.
